Italia ka ndaluar përdorimin e aplikacionit ChatGPT, duke u bërë kështu vendi i parë në Perëndim që ndalon aplikacionin e inteligjencës artificiale ChatGPT, duke përmendur mbrojtjen e të dhënave personale. Vendimi ka efekt të menjëhershëm. Autoriteti kompetent i vendit do të kontrollojë gjithashtu nëse aplikacioni është në përputhje me rregulloren e BE-së për të dhënat personale (GDPR). Siç shpjeguan autoritetet, më 20 mars ishte bërë e ditur një rrjedhje që përfshinte biseda të përdoruesve.
Nuk ka asnjë bazë ligjore, thotë autoriteti, për të justifikuar “mbledhjen dhe ruajtjen masive të të dhënave personale për të trajnuar algoritmet” mbi të cilat bazohet platforma.
Përveç kësaj, nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar moshën e përdoruesve. ChatGPT, thotë ai gjithashtu, “i ekspozon të miturit ndaj pyetjeve që janë krejtësisht të papërshtatshme në lidhje me zhvillimin dhe perceptimin e tyre. “Duhet të theksohet se Bard, aplikacioni ekuivalent i Google, është i hapur vetëm për përdoruesit mbi 18 vjeç.
Sipas autoritetit italian, OpenAI kishte 20 ditë kohë për t’iu përgjigjur pikave të ngritura ndaj tij, në të kundërt mund të gjobitej me 20 milionë euro ose 4% të të ardhurave vjetore.
Aplikacioni ChatGPT, i krijuar nga kompania OpenAI e financuar nga Microsoft, mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe madje të imitojë stilet e të shkruarit. Ai bazohet në tekste nga interneti siç ishte në vitin 2021.
Microsoft po e integron gradualisht teknologjinë në motorin e kërkimit Bing dhe aplikacionet Office.
Megjithatë, për ChatGPT dhe aplikacione të tjera të ngjashme ka pyetje serioze në lidhje me paragjykimet ose kërcënimin për miliona vende pune .
Vetëm këtë javë, qindra figura të teknologjisë, përfshirë Elon Musk, kërkuan një “ngrirje” në zhvillimin e aplikacioneve për të peshuar përdorimin.