Një arratisje spektakolare mësohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku një i burgosur në “Idrovicë” është rrëmbyer nga persona të armatosur.
Ngjarja ka ndodhur teksa i burgosuri nën shoqërimin e sigurisë së lartë, është transportuar drejt spitalit.
Përleshja ka ndodhur në momentin kur policia është zënë pritë nga persona të maskuar të cilët kanë plagosur një efektiv në fshikës, dhe në këtë mënyrë kanë mundur të marrin të burgosurin dhe janë arratisur.
E gjithë skema e aksionit ishtë planifikuar më herët, pasi të armatosurit dinin çdo detaj për intinerarin që do ndiqte automjeti policisë. Ka qenë i burgosuri i cili është vetëplagosur për të inskenuar situatën, ku më pas ka kërkuar ndihmë dhe mjekim të specializuar.
Burime bëjnë me dije se Marjan Spasovski, drejtor i Administratës për zbatimin e sanksioneve, ka pranuar se në burgje mbretëron korrupsioni endemik. Aksioni i arratisjes së të burgosurit ka lënë edhe te organet kompetente dyshimin se ka qenë i koordinuar me persona të burgut, duke pasur parasysh informacionet që posedonin personat e armatosur. Ky raportohet si një nga disa incidentet që kanë ndodhur kohët e fundit, lidhur me sistemin e burgjeve.