Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerr të gjallë një bebe të sapo lindur nga rrënojat e tërmetit në Siri. Është gjetur ende e lidhur kordoni me kërthizën e të ëmës, e cila nuk mundi të shpëtojë nga lëndimet e tërmetit.
Zyrtaret bëjnë me dije se vetëm foshnja ka arritur të mbijetojë pasi e gjithë famijlja u vra nga tërmeti 7.8 ballë që goditi Sirinë dhe Turqinë dhe rrafshoi banesën e saj, u shpreh një i afërm i familjes së vajzës, Khalil al-Suwadi.
“Ne dëgjonim një zë teksa po gërmonim,” tha Suwadi për AFP të martën. “Pastruam pluhurin dhe gjetëm foshnjën me kordonin e kërthizës, kështu që e premë dhe kushëriri im e çoi në spital.”
Videoja e shpëtimit u bë virale në rrjetet sociale. Pamjet tregonin një burrë duke vrapuar nga rrënojat e një ndërtese katërkatëshe të shembur i cili shtrëngonte një foshnjë të vogël të mbuluar me pluhur. Një burrë i dytë vrapon drejt të parit, duke mbajtur një batanije në përpjekje për të ngrohur të porsalindurën në temperatura nën zero, ndërsa një i tretë bërtet që një makinë ta çojë në spital.
Mjekët thanë se trupi i saj kishte mavijosje, të çara, ndërsa balli dhe gishtat ishin bërë blu nga i ftohti. “Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit të ashpër. Ne duhej ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium,” tha pediatri Hani Maaroouf.
Gjendja e foshnjës është e qëndrueshme. Prindërit e saj si edhe katër motrat dhe vëllezërit ndërruan jetë.