Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me vlerë 14.6 milionë euro për të ribërë nga e para portalin e shërbimeve qeveritare e-Albania. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit, kontrata parashikon implementimin e programit të ri me vlerë 12.8 milionë euro dhe mirëmbajtjen e portalit për dy vjet me vlerë 1.8 milionë euro. Por si i justifikon AKSHI shpenzimin e këtyre 14.6 milionë eurove për të ribërë nga e para portalin qeveritar e-Albania?
“Të dhënat e disponueshme tregojnë boshllëqe në aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike, pjesërisht për shkak të kufizimeve të teknologjive ekzistuese të vjetra dhe pjesërisht për shkak të niveleve të ulëta të aftësive dixhitale në popullatën shqiptare, dhe këto dhe sfida të tjera janë në qendër të vëmendjes të strategjive të reja ambicioze të qeverisë,” thuhet në dokumentat e tenderit.
Sipas AKSHI-t, objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është përmirësimi i portalit e-Shqipëria në një portal shtetëror modern, të sigurt, të qëndrueshëm dhe që është i orientuar drejt përdoruesit, me cilësi të lartë të barabartë për të gjitha grupet e përdoruesve, i aksesueshëm 24/7 nga pajisjet mobile dhe ato desktop.
“Shërbimet që do të ofrohen do të jenë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë kryesisht artikuj informativë, shërbime elektronike për të lejuar ndërveprimin e qytetarëve dhe bizneseve me qeverinë dhe anasjelltas, ngjarje jetësore proaktive të personalizuara, kërkim inteligjent në kuadrin e të gjithave të mësipërmeve, dhe mjete administrative për të mbështetur ofrimin e këtyre shërbimeve,” thuhet në shpallje.
Operatori ekonomik fitues duhet te implementoje versionin e-Albania 2.0, site-in sekondar dhe portalin Open data, duke zhvilluar, konfiguruar dhe implementuar nje sistem kompleks informacioni si një produkt plotësisht funksional me të gjitha funksionalitetet e kërkuara ne këto terma reference dhe jo vetem.
Shqipëria ka shpenzuar qindra milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës dixhitale. Tani qytetarët do të paguajnë qindra milionë euro të tjera për ta përmirësuar atë. Tek AKSHI paratë vërshojnë lumë dhe shumica e kontratave tenderohen me ccmime të fryra disa fish mbi koston reale. Pak kohë më parë, për shkak të abuzimeve me dy tendera, atë të laboratorëve smart në shkolla dhe mbikqyrjen e burgjeve, në zyrat e AKSHIT zbarkuan hetuesit e BKH, të cilët sekuestruan masivisht kompjutera dhe celularët e shumë punonjësve. Por drejtuesja e AKSHI-t u la jashtë këtij aksioni./ Kapitali.al/