Prokuroria e Përgjithshme ka çuar në Kuvend raportin e të dhënave kriminale për vitin 2023. Sipas këtij raporti, përqindjen më të ulët të koeficientit të kriminalitetit në vitin 2023 e kishte qarku Dibër me 523 vepra penale për 100 mijë banorë, ndërsa koeficentin më të lartë qarku i Vlorës me 1301 vepra penale për 100 mijë banorë. Në vend të dytë renditet Lezha me 1209 vepra penale për 100.000 banorë dhe Gjirokastra në vend të tretë me 1154 vepra penale për 100.000 banorë.
Gjatë vitit 2023 ka patur dhe një numër të lartë të procedimeve të regjistruara për krime seksuale. Në Tiranë janë regjistruar 39 %, e numrit total të procedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Durrës 12 % e procedimeve, Fier dhe Vlorë përkatësisht me nga 8 %.
Ndërsa vërehet se numri më i vogël i procedimeve të regjistruara për këto grupvepra penale është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë: Elbasan, Kukës, Lezhë, regjistruar secila rreth 2 % e totalit të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi për këtë grup veprash dhe prokuroria Dibër me 1% të procedimeve në shkallë vendi për këtë grup veprash.
Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme nënvizohet fakti se gjatë vitit 2023 ka patur një rritje të denoncimeve për pornografi. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit” është 17,96 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 11,81 %. Gjatë vitit 2023 numri i procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 117 i Kodit Penal “Pornografia”, është rritur me 50 % krahasuar me vitin 2022.
Për sa i përket ngacmimeve seksuale, pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime seksuale” është 59,68 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 53,70 %.