Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, takon reporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.Në një postim në rrjetet sociale ai ka shkruar se në takim ndau shqetësimi për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, veçanërisht reforma zgjedhore.
Postimi i Alibeaj:
Sot pata kënaqësinë të prisja në një takim znj. Isabel Santos reportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Bashkë me znj. Santos ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, duke u ndalur veçanërisht për Reformën Zgjedhore, e cila do të duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, dhe të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e ODHIR.
Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, e njoha znj. Santos mbi ecurinë, garancitë, transparencën, gjithëpërfshirjen e çdo fluksi politik brënda opozitës në mirëpërcaktimin e marrjes së vendimeve që ofronte mekanizmi i Komisionit, i kërkuar që para dy vitesh nga Partia Demokratike.
Po ashtu i shpreha, qëndrimet dhe propozimet konkrete të Partisë Demokratike të prezantuara që në Dhjetor 2022 e më pas në Nëntor 2023, nën formën e një projektligji të depozituar në Kuvend, ku adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi shitblerjen e votës, keqpërdorimit të mjeteve dhe burimeve publike në zgjedhje, etj., të shprehura në katër shtylla:
i) Votë për Diasporën;
ii) Lista të Hapura;
iii) Shqipëria një Zonë Zgjedhore;
iv) Votim dhe Numërim Elektronik.
Ndava shqetësimin për mungesën e vullnetit politik të dëshmuar nga ana e maxhorancës socialiste për të çuar përpara Reformën Zgjedhore në frymën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe theksova se çdo përpjekje për ta devijuar këtë proces me mjete informale, pa transparencë dhe jo gjithpërfshirëse dhe pa garanci institucionale, bie ndesh me interesin e qytetarëve shqiptarë.
Mbi të gjitha i shpreha Znj. Santos, qëndrimin e vendosur që Partia Demokratike ndan, në mënyrë të panegociueshme, mbi aleancën parimore me SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK dhe luftës ndaj pandëshkueshmërisë e korrupsionit, dhe një Reformë Zgjedhore në interes të qytetarëve shqiptarë e cila do të duhet të përmbyllet me transparencë, me gjithëpërfshirje, në kohë, për t’iu siguruar të gjithë qytetarëve një proces zgjedhor me standarte reale, të lira e të ndershme si nje kusht për avancimin e procesit te integrimit te Shqipërisë në BE.