Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.
Në Grafikun 3, paraqitet çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së Vogël për periudhën e tremujorëve 2021-2023. Siç mund të vihet re nga grafiku, çmimi mesatar real i shitjes në këtë zonë, ka ardhur duke u rritur, në intervalin 1,157 – 1,804 euro/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1,084 – 1,718 euro/m2. Gjatë kësaj periudhe, çmimet mesatare në këtë zonë janë rritur me 55.8%, ndërsa çmimet mediane janë rritur në një përqindje më të lartë, 58.4% përkatësisht.
Një tendencë rritëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së Vogël vihet re në tremujorin e katërt 2023. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 1,804 euro/m2; çmimi median përllogaritet në 1,718 euro/m2. Krahasuar me tremujorin e tretë 2023, në këtë tremujor, çmimet mesatare janë rritur me 15.88% dhe çmimet mediane janë rritur me 11.89%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimet mesatare të apartamenteve u rritën me 45%
Në Grafikun 4 është paraqitur kurba e evoluimit të çmimit mesatar real dhe medianës së çmimeve (Euro/m2) të apartamenteve në zonën e Bllokut. Në këtë zonë, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar një luhatje të konsiderueshme, duke variuar në intervalin 1,488 euro/m2 -2,160 euro/m2, ndërsa çmimet mediane brenda intervalit 1,417 euro/m2 – 2,021euro/m2. Gjatë kësaj periudhe, çmimet mesatare janë rritur me 45.14%, ndërsa çmimet mediane me 42.6%.
Një rritje e nivelit të çmimeve mesatare reale vihet re në tremujorin e dytë 2021, një rritje me 6.2% krahasuar me tremujorin e parë 2021 dhe sërish, një rritje me 2.9% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2021. Një rënie e çmimeve mesatare vihet re në këtë zonë nga tremujori i tretë 2021 në tremujorin e parë 2022 me 3.14%.
Nga tremujori i parë në të dytin 2022, çmimet janë rritur me 9.8% dhe një rritje me 13.4% nga tremujori i tretë në tremujorin e fundit. Për sa i përket periudhës aktuale, në këtë tremujor të fundit 2023, mesatarisht një apartament në zonën e Bllokut shitet në vlerën 2,160 euro/m2, çmimi median përllogaritet në vlerën 2,021 euro/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e tretë 2023 kanë shënuar rritje me 5.74%, ndërsa çmimet mediane janë rritur me 0.71%.
Për apartamentet jashtë Unazës së Vogël, çmimet mesatare të shitjes u rritën 38%
Në Grafikun 5 paraqitet evoluimi i çmimit mesatar real dhe median të shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së Vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë variojnë nga një interval 1,036 euro/m2 deri në 1,434 euro/m2 në tremujorin e katërt 2023. Çmimet mediane variojnë në intervalin nga 951 euro/m2 – 1,360 euro/m2.
Çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në këtë zonë kanë shfaqur një tendencë rritëse gjatë gjithë periudhës së tremujorëve 2021-2023. Nga tremujori i parë 2021 në tremujorin e fundit 2023, çmimet mesatare janë rritur me 38.3%, ndërsa çmimet mediane janë rritur me 42.8%.
Një tendencë rënëse vihet re në tremujorin e fundit 2021, krahasuar me një tremujor më parë, një rënie me 2.8% në nivelin e çmimeve të shitjes së apartamente në zonën jashtë Unazës së Vogël. Tremujori i fundit 2023 karakterizohet nga një rritje e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në këtë zonë. Ҫmimet reale mesatare përllogariten në 1,434 euro/m2, ndërsa çmimet mediane në nivelin 1,360 euro/m2, duke shënuar një rritje me 2.38% dhe 1.79% krahasuar me një tremujor paraardhës.