Dosja ’21 janari’ do të shqyrtohet sot në Gjykatën e Lartë në orën 13:00, ku pritet të merret përfundimisht një vendim se kujt i takon ta hetojë, Prokurorisë së Tiranës apo SPAK. Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që çështja të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme. Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën e 21 janarit 2011.
Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.
Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror. SPAK do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim të vrasjeve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, të drejtuar nga Sali Berisha.
Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. Familjarët e protestuesit të vrarë kërkojnë që Gjykata e Lartë të prishë dy vendimet e marra nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit dhe të urdhërojë Prokurorin e Posaçme të regjistrojë procedimin penal. Sipas argumentit të tyre, të akuzuarit për të krim janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ish Kryeministër dhe ish Ministër i Brendshëm, të cilët janë subjekte që duhet të hetohen nga SPAK bashkë me Andrea Prendin, ish-komandant i Gardës së Republikës.
Në rekursin e bashkëshortes së Aleks Nikës, thuhet se Prokuroria e Tiranës e ka mbajtur hetimin për 21 janarin për 2 vjet e 6 muaj pa bërë asnjë veprim për zbardhjen e ngjarjes. Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë, jo vetëm për padinë e familjarëve të depozituar më 16 shkurt të këtij viti, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste.