Në takimin 5-ditor të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, kanë nisur diskutimin e orientuar nën moton “Bashkëpunim në një botë të fragmentuar”. Ndërsa ka rimarrë traditën e parapandemisë, takimi i forumit global mbahet në një kohë kur ekonomia botërore ndodhet nën presion të madh për shkak të inflacionit të lartë, krizës së energjisë, ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit si pasojë e luftës, si edhe rishpërthimit të pandemisë Covid-19 në Kinë.
Efektet tashmë të shfaqura globalisht janë vënë në diskutimet e autoriteteve botërore të ekonomisë, sensibilizuar nga apeli i Zonjës së parë të Ukrainës, Olena Zelenska për krerët e shteteve, shefat ekzekutivë dhe liderë të tjerë globalë të martën.
Zelenska bëri thirrje për të përdorur ndikimin e tyre që të ndihmohet Ukraina që ndodhet prej një viti në një luftë të imponuar mbrojtjeje në territorin e saj nga Rusia.
Një ditë përpara se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet forumit, Zelenska ftoi pjesëmarrësit të përdorin ndikimin e tyre për bashkim. Në fjalimin e saj, ajo përshkroi një plan paqeje prej 10 pikash që ishte shpallur më parë nga presidenti rus Zelensky në nëntor . Plani përfshin tërheqjen e plotë të forcave ruse.
Forumi shënoi të martën edhe fjalimin e Zëvendëskryeministrit të Kinës, LIU HE i cili gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar, një përgjigje globale ndaj ndryshimeve klimatike dhe vendosjen e zhvillimit ekonomik si ‘detyrë parësore dhe qendrore’.
Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Layen i shprehu forumit konfirmimin e angazhimit të thellë që BE dhe SHBA ndajnë për të adresuar krizën klimatike dhe për të përshpejtuar rrugën drejt emetimeve zero gazra të dëmshme në natyrë. “Ne po punojmë për të siguruar që programet tona nxitëse për teknologjinë e pastër të jenë të drejta dhe përforcuese reciprokisht”, u shpreh von der Layen.
Lufta e Re e Ftohtë
Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka marrë kritika për Aktin e Reduktimit të Inflacionit (IRA), një projekt-ligj që do të sigurojë ndihmë nga qeveria për bizneset amerikane të përfshira në automjetet elektrike ose energjinë e rinovueshme, me Europën që pritet të reagojë.
“Subvencionet qeveritare të miratuara në emër të sigurisë ekonomike ose kombëtare” rrezikojnë të kenë “pasoja të paqëllimta” ose “të përdoren për të fituar një avantazh ekonomik në kurriz të të tjerëve”, paralajmëroi të hënën, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva.
Siç njoftoi qeveria zvicerane, rreth 5,000 personel ushtarakë janë mobilizuar dhe do të vendosen kufizime të fluturimeve në rajon për të garantuar sigurinë e krerëve të shteteve dhe qeverive, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe drejtuesve të kompanive që marrin pjesë në forum.
Organizatat joqeveritare do të mblidhen gjithashtu në Davos këtë javë. Rreth 200 vetë demonstruan tashmë të dielën kundër forumit. OJQ-ja Oxfam kritikoi nivelet “ekstreme dhe të rrezikshme” të pabarazisë ekonomike në botë, duke kërkuar që numri i miliarderëve në botë të përgjysmohet deri në vitin 2030.
Greenpeace, nga ana e saj, foli për “hipokrizi” nga ana e elitës globale që diskutonte për klimën, ndërsa gjatë Forumit Ekonomik Botëror të vitit të kaluar, në maj, 500 avionë privatë kishin mbërritur në Davos, sipas raporteve.
Në takim do të jenë pjesëmarrës edhe kryeministri Edi Rama, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Kryeministri holandez Mark Rutte, apo dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.