Pas vendimit të ministres Evis Kushi për shkrirjen e Akademisë së Albanologjisë, si dhe akuzave të forta ndaj institutit në fjalë se nuk po kryente asnjë lloj funksioni, ka ardhur dhe reagimi Institutit të Arkeologjisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Instituti i Arkeologjisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike deklaron se cdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë.
Për akuzat që u bënë ndaj ASA-s, ky Institut deklaron se kërkimi arkeologjik në Shqipëri i ka paraprirë krijimit të institucioneve nga ana e shtetit shqiptar dhe nuk i përket asnjë individi të së shkuarës, të së tashmes apo të së ardhmes, dhe si i tillë do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht situatave politike që krijohen.
Instituti i Arkeologjisë
Këshilli shkencor i Institutit të Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike, pasi konstaton me keqardhje disa sulme në media ndaj punës së Institucionit dhe kërkuesve të tij, i mbledhur më dt. 31 maj 2023, shprehet unanimisht se:
Kërkimi arkeologjik në Shqipëri i ka paraprirë krijimit të institucioneve nga ana e shtetit shqiptar dhe nuk i përket asnjë individi të së shkuarës, të së tashmes apo të së ardhmes, dhe si i tillë do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht situatave politike që krijohen.
Kërkimet e Institutit të Arkeologjisë që mbulojnë pothuajse tërë territorin shqiptar dhe të gjitha periudhat historike, vetëm apo në bashkëpunim me universitete dhe qendra kërkimore të huaja, sipas modeleve dhe parimeve ndërkombëtare në arkeologji dhe larg subjektivizmave në shkencë, kanë sjellë rezultate të jashtëzakonshme të cilat e kanë bërë të njohur arkeologjinë shqiptare në rang ndërkombëtar, duke na bërë krenarë!
Ky Institut ka pasur dhe ka si parim pune lirinë akademike të secilit studiues. Duke gëzuar lirinë e fituar në kërkim shkencor, studiuesit e IA-së prej dekadash tashmë nuk e bazojnë aktivitetin e tyre mbi teza të paracaktuara dhe të imponuara, por mbi problematika të cilat studiohen dhe argumentohen.
Ky Institut ka mbështetur lirinë e kërkimit shkencor në rezultatet e gërmimeve që vijnë nga terreni, duke iu shmangur populizmave politikë për efekte lokale apo interesa të momentit. Niveli i punës sonë ka qenë dhe mbetet profesionalizimi, i matshëm nëpërmjet konferencave dhe botimeve ndërkombëtare, platformat e vërteta të përballjes shkencore.
Niveli shkencor i anëtarëve të këtij institucioni është i dukshëm nga doktoraturat që janë mbrojtur në universitete ndërkombëtare, apo nga studime post-doktorale që fitohen mbi bazën e programeve konkurruese dhe meritokracisë dhe që vlerësohen nga kontributi i drejtpërdrejtë dhe jo nga subjektivizmat. Ky seriozitet ka bërë që arkeologët shqiptarë të ftohen e mirëpriten në evenimente profesionale në të gjitha shtetet perëndimore.
Çdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, nuk bën gjë tjetër veçse e dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë. Janë pikërisht mendimet e këtyre profesionistëve që kanë rëndësi, për të imponuar qëndrimin kombëtar të arkeologjisë shqiptare dhe jo interesat e momentit.
Çdo sulm i kryer kundër këtij institucioni, me qëllim përfitimin personal nga individë me njërën këmbë në zanat ose jo, e me tjetrën në politikë, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për faktorizim individual. Institucionet shkencore maten vetëm me sasinë dhe cilësinë e kërkimeve dhe botimeve që realizojnë. Të mos harrojmë se kërkimi arkeologjik modern, ai i shekullit XXI është multi-disiplinar dhe punë në grup. Qasja e shekullit XIX nuk është dhe nuk do të jetë filozofia e punës sonë. Instituti i Arkeologjisë është aktualisht ndër të paktat institucione kërkimore shkencore shqiptare që bashkëpunon me shkollat më të mira kërkimore europiane, duke u respektuar ndërkombëtarisht për cilësinë e punës dhe rezultatet që ka arritur.
Kërkimet tona kanë në qendër të vëmendjes zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve ku ndodhen, nëpërmjet përfitimit ekonomik, social e kulturor nga trashëgimia arkeologjike. Falë këtyre kërkimeve, në hartën e turizmit kulturor të vendit janë shtuar një sërë vendbanimesh, çka na nderon dhe motivon për të vijuar punën tonë me pasion dhe përgjegjshmëri.
Një vokacion i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet kontributi ynë i drejtpërdrejtë në formimin e arkeologëve të rinj. Instituti i Arkeologjisë falë Shkollës së Doktoraturës dhe bashkëpunimit me universitetet perëndimore në kuadër të projektit Erasmus + ka përgatitur arkeologë dhe studiues të rinj me nivel bashkëkohor. Kjo armatë studiuesish drejtojnë projekte të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, Kosovë dhe Malin e Zi, duke luajtur një rol të rëndësishëm në trashëgiminë kulturore të vendeve të tyre.
Për çdo shqetësim apo aspekt që nuk lidhet me probleme të kërkimit shkencor, shteti i së drejtës ka institucionet përkatëse ku secili qytetar është i lirë të drejtohet.