Presidentja e Hungarisë Katalin Novak dhe homologu i saj Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj zhvilluan një takim në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë të Novak.
Fokusi i takimit të tyre ishte situata alarmante dhe tejet e tensionuar në veriun e Kosovës.
Presidenti Begaj tha se dhuna e serbëve ndaj forcave të KFOR është e pajustifikueshme.
“Ngjarje të tilla nuk janë në shërbim të askujt, nuk i bëjnë mirë asnjërit. Pengojnë proceset integruese të rajonit në BE. Për ne misioni i NATO në Kosovë është një histori suksesi prej 20 vitesh. Ky mision e ka kryer detyrën e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës, dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme.
Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër. Në këtë moment nevojitet një ç’tensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje…”, tha ai
Po ashtu edhe Presidentja e Hungarisë Katalin Novak përcolli të njëjtin mesazh.
“… Paqja në Ballkan është e rëndësishme për sigurinë e BE. Dua të theksoj 5 tema që folëm, integrimi euroatlantik, lufta në Ukraine, bashkëpunimi ekonomik, emigrimi ilegal dhe demografia.
Në radhë të parë, në lidhje me Ballkanin, më e rëndësishëm është stabiliteti. Gjatë kësaj kohe Ballkani Perëndimor është një rajon ku shumë shpejt mund të përshkallëzohet situata si në Bosnje, si një Kosovë. Bashkë me Begaj jemi interesuar në ndalimin e përshkallëzimit dhe këtu kemi parasysh paqen dhe stabilitetin Kosovës dhe rajonit. Përpiqemi që ndërmjet dialogut të mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Kanë qenë guximtarë, shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjatë”, tha ajo.