Dinamika e aksidentit të rëndë rrugor që i mori jetën paraditen e së martës, Alfred Vocajt, 20-vjeçarit me origjinë shqiptare e banues në Abano, Itali, po hetohet nga policia. I riu shqiptar humbi jetën pas përplasjes së motorit të tij model Aprilia 125 dhe një mjeti “Fiat Freemont” në rrugën rajonale 47. I vetmi fakt i sigurt për momentin është se motori i Vocajt ka kaluar në rrethana të paqarta në korsinë e kundërt dhe ka qenë e pamundur për shoferin e Fiatit, të shmangte përplasjen pavarësisht frenimit të madh.
Por çfarë e shkaktoi kalimin në korsinë tjetër?
Të gjitha hipotezat po merren në konsideratë nga policia, nga shpërqendrimi i të riut deri te një defekt mekanik, por pa përjashtuar një sëmundje të papritur. Për momentin, e vetmja deklaratë është ajo e drejtuesit të Fiat-it, i cili u tha efektivëve se papritur u gjend përballë motorit teksa po shkonte nga Padova në drejtim të Abanos.
Ndërkohë Alfred Vocaj ishte rrugës për në punë, në një garazh pranë Qendrës Giotto. Dje, në shtëpinë e familjes Vocaj në numrin 4 të via San Marco, kanë vijuar vizitat e të afërmve dhe të njohurve, të cilët u përpoqën të ngushëllonin babanë Gjeke, pronar i një kompanie ndërtimi, nënë Dorianen e punësuar në një hotel në Spa, dhe motren e mitur të Alfredit.
Familjarët kërkojnë që të zbardhen plotësisht shkaqet e aksidentit që i kushtoi jetën mekanikut njëzet vjeçar. Kushëriri i tij thotê:
“Policia lokale, kur na njoftoi, nuk na tha shumë, u kufizuan të na thonë se ai kishte vdekur në një përplasje. Ne duam të dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.
Kushdo që e njihte djalin thotë se si ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm kur drejtonte një automjet. Vetëdija për rrezikshmërinë ekstreme të sjelljeve të caktuara, në timonin e një makine apo ngasjen e motorit, vinte pikërisht nga pasioni i madh që kishte për mekanikën dhe motorët. Vetëm një javë para se të humbiste jetën tragjikisht, ai kishte nisur punën në garazh, duke u dalluar për përpikmërinë dhe përkushtimin e tij.
Ai kishte marrë lejen e drejtimit vetëm një vit më parë.
“Ne të gjithë jemi të bindur për një gjë – vazhdon kushëriri – nëse ai papritmas kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me makinën, nuk ishte faji i tij. Por ne nuk kemi më shumë informacion se sa na është thënë nga policia lokale. Ne duam të dimë të gjithë të vërtetën”.
Trupi i pajetë i të riut u transferua në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Padovës, në dispozicion të organeve të drejtësisë.
“Ne nuk e dimë nëse ata do të bëjnë një autopsi – përfundojnë të afërmit e djalit – askush nga ne nuk e ka parë trupin e tij”.