Arben Ahmetaj, ish-zv.Kryeministër, tha se nuk do të bëhet kokë turku për Edi Ramën dhe për askënd tjetër.
Ahmetaj tha se nuk është krijesë që mund të kërcënohet apo ka frikë nga kërcënimet.
“Nuk më bëjnë dot mua kokë turku, si mundet SPAK të thotë ne nuk sekuestrojmë dot inceneratorin se kemi frikën e Arbitrazhit. Çfarë i duhet SPAK-ut arbitrazhi, kur kjo është kompetencë e ministrisë së Financave apo ministrave të tjerë të linjës? Pse duan të më bëjnë kokë turku mua, sepse nuk i rruhet Edi Ramës për procedurat”, tha Ahmetaj.
“Ndiqi 60 mln euro dhe mos dil të thuash, se ne kemi merak ta sekuestrojmë se kemi merak arbitrazhin. Ke arbitrazhin merak, ti nuk mund të flasësh si ministër, kjo është detyra e ministrit të Financave, jo e SPAK. Nëse ke merak arbitrazhin hetoje thellësisht Beketin, është refuzuar dhe një komision hetimor. Hetoje për arbitrazhin apo ti do të më varrosësh mua. Kë kërcënon mua, i bën presion gjykatës se do të kërkosh dënim maksimal se nuk të rruhet për procedurat. Bravo të qoftë. Ne e bëmë drejtësinë e re për të qenë të gjithë të barabartë përballë ligjit, jo njëri mbi ligjin e tjetri poshtë. Pra rasti im është shumë i rëndësishëm për reformën në drejtësi. Është tentuar të bëhet statistikë politiko-juridike. Është ndërtuar një narrativë e tërë që ky është njeriu që duhet ta hajë. Ky të vejë në të s’ëmës. Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër dhe unë nuk jam krijesë që mund të kërcënohem, as nga Robespierët, as nga kriminelët, as nga burgu, as nga jashtë burgut. Jam ndonjë trim, jo, njeri normal jam. Kam frikë, sigurisht kam frikë si çdo njeri. Kam frikë nga vdekja, sigurisht, do të vdesim një ditë, sigurisht. Por nuk jam krijesë që mund të kërcënohem. Kjo është e sigurtë”, tha Ahmetaj në intervistën për Syri TV.
Ai tha se SPAK duhej të ndjekë paranë, ku kanë shkuar 60 mln euro.
“Kam njoftuar ministrin Çuçi që më ndjekin nga pas njerëz të panjohur dhe më thotë: me siguri do të jetë SPAK. Po duhej të marrë leje SPAK, si mundet të më ndiqnin mua pa një autorizim? Ne bëmë reformën në drejtësi që të ishim të barabartë para ligjit, por jo që disa të jenë nën ligjin dhe disa mbi ligjin. Ka merakun SPAK të Arbitrazhit, le të bëjë hetim të thelluar, le të hetojnë”, tha Ahmetaj.