Kryeministri i vendit Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp, nga ku ka njoftuar anullimin e mbledhjes që pritej të zhvillohej të mërkurën mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Edi Rama tha se i ka kërkuar Albin Kurtit një takim, por ky i fundit ka preferuar mbajtjen e mbledhjes mes dy qeverive, e cila tashmë nuk do të ndodhë.
Gjithashtu Rama bëri me dije se komuniteti ndërkombëtar po shkon drejt vendosjes së sanksioneve për Kurtin dhe Kosovën, për shkak të situatës në veri.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë për të disutuar për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë Euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizjen planin e sanksioneve.
Për fat të keq, më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryhsim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk ëshët e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës.
Të mund të takohemi për të ballafaqur opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.
Kam bërë një përpjekje për t’ju kërkuar dhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se mbledhja me qeverinë e Kosovës nuk mund të zhvillohet si një teatër, ndërkohë që Kosova po “digjet” në sytë e ndërkombëtarëve.
“Kam disa ditë që kërkoj ta takoj (Kurtin). Ka qenë i zënë, e mirëkuptoj.
Nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Shqipëria nuk është UFO, Shqipëria është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlkantike.
Nuk mundet të bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë dhe blegtorinë, që janë gati, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar, me ata që e krijuan si shtet”, tha kryeministri.