Pas 1 tetorit të këtij viti pritet që më shumë para të shkojnë në xhepat e mbi 700 mijë pensionistëve në Shqipëri dhe kategoria që do të përfitojë më shumë para do të jetë ajo që i ka pensionin shumë të ulët. E jo vetëm kaq, një tjetër kategori e shtresave në nevojë që pritet të trajtohet me bonus, janë pikërisht qytetarët të cilët trajtohen në ndihmë ekonomike. Së shpejti pritet të aplikohen ndryshimet e propozuara në skemën e pensioneve për të cilat po punohet prej kohësh nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore e grupet e interesit. Sakaq, në tetor pritet të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë.
Por sa para më shumë pritet të marrin pensionistët? Ekspertja e ekonomisë dhe njëkohësisht pedagogia Eriola Hoxha tregon se metoda e indeksimit së pensioneve do të ndryshohet me një fokus në përfitimin e atyre që kanë pensione të ulëta. Ajo thekson më tej se po mendohet aplikimi i një formule, që do të rezultojë në një rritje më të madhe për pensionet më të ulëta krahasuar me ato më të lartat. Nga ana tjetër, përballë çmimeve që vijojnë të rriten dhe kostove të shtuara të jetesës, ndihma ekonomike është e pamjaftueshme.
Ky fakt pranohet edhe nga vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, e cila propozon ndryshim të kësaj skeme. Në Strategjinë Kombëtare 2024-2030, thuhet se pavarësisht rritjeve ndër vite të vlerës së ndihmës ekonomike, përsëri ajo mbetet e pamjaftueshme për të shmangur rrezikun për të qenë i varfër. Në strategji thuhet se pavarësisht të gjitha përpjekjeve, duke përfshirë edhe punësimin e të rinjve në moshë pune, vetëm 3% e popullsisë u nxor nga rreziku i varfërisë. Aktualisht buxheti që shkon për ndihmën ekonomike është 0.3% e PBB, dhe në vitin 2022 mbështeti 64 mijë familje me 226.530 individë̈ anëtarë.
Kompensimi i dritave
Përmes skemës së kompensimit të dritave, pensionistët mund të përfitojnë deri 1288 shtesë mbi masën e përfitimit mujor. Aktualisht, janë tre vendime qeverie që janë në fuqi për rimbursimin e dritave. Konkretisht është vendimi i vitit 2006, i ndryshuar në vitin 2009, me të cilin pensionistët marrin 140 lekë dhe 500 lekë, ose 640 lekë në muaj. Dhe vendimi i fundit i vitit 2014, ku pensionistët marrin kompensim të energjisë në masën 648 lekë në muaj. Pra, gjithsej janë 1288 lekë në muaj, ose 15 456 lekë që pensionistët kryefamiljarë marrin si kompensim për dritat në harkun e një viti.