Një studim i botuar sëfundmi në revistën JAMA Internal Medicine tregon se mjekët që punojnë me teknologji të tilla si ChatGPT mund të revolucionarizojnë mjekësinë.
Studimi, i udhëhequr nga Instituti Qualcomm në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, krahasoi përgjigjet me shkrim nga mjekët dhe përgjigjet nga ChatGPT me pyetjet shëndetësore të botës reale të bëra në forumin AskDocs të Reddit. Një panel profesionistësh të certifikuar të kujdesit shëndetësor preferuan përgjigjet e ChatGPT në 79% të rasteve, duke i vlerësuar ato bazuar në cilësinë e informacionit dhe ndjeshmërinë.
Përgjigjet me cilësi të mirë ose shumë të mirë ishin 3.6 herë më të larta për ChatGPT sesa nga mjekët, dhe përgjigjet empatike ishin 9.8 herë më të larta për ChatGPT sesa për mjekët.
“Mundësitë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor me inteligjencën artificiale janë të mëdha,” thotë studiuesi kryesor John Ayers, shefi i asociuar i Inovacionit në Divizionin e Sëmundjeve Infektive dhe Shëndetit Publik Global në Universitetin e Kalifornisë. Ai shton se “kujdesi me përdorimin e inteligjencës artificiale është e ardhmja e Mjekësisë”.
“Megjithëse studimi solli ChatGPT kundër mjekëve, zgjidhja përfundimtare nuk është të flakësh mjekun“, thotë Adam Poliak, asistent profesor i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin Bryn Mar në Pensilvani dhe një nga autorët e studimit. “Në vend të kësaj, një mjek që përdor ChatGPT është përgjigja për kujdesin më të mirë me ndjeshmëri.”
Eric Leas, një nga autorët e studimit dhe një asistent profesor në Shkollën e Shëndetit Publik dhe Shkencës së Jetëgjatësisë Njerëzore në Universitetin e Kalifornisë, përshkruan se “pandemia Covid-19 ka përshpejtuar adoptimin e kujdesit shëndetësor virtual. Ndërsa kjo e ka bërë më të lehtë aksesin në kujdesin për pacientët, mjekët janë të ngarkuar nga një lumë e-mail nga pacientët që kërkojnë këshilla mjekësore, duke sjellë nivele rekord të mos dhënies së përgjigjeve mjekësore”.
“Ne mund t’i përdorim këto teknologji për të trajnuar mjekët në komunikimin me në qendër pacientin, për të eliminuar pabarazitë shëndetësore të përjetuara nga popullatat, të cilët shpesh kërkojnë kujdes shëndetësor përmes mesazheve me tekst, të krijojmë sisteme të reja të sigurisë mjekësore dhe të ndihmojmë mjekët duke ofruar kujdes më cilësor dhe më efikas“ shton Mark Drenze, profesor i asociuar i Shkencave Kompjuterike në Universitetin Johns Hopkins dhe një nga autorët e studimit.