IKMT ka zbarkuar këtë herë në Fresk, aty ku pritet që të shembë disa ndërtesa, për shkak se preken nga projekti i Unazës së Madhe. Një nga familjet e prekura nga projekti është familja Kolagji. Ata pretendojnë se pronën e kanë blerë në vitin 1994 dhe janë në proces legalizimi. Avokati i familjes ka hedhur në gjyq IKMT-në dhe kërkojnë që të mos nisë shembja e ndërtesave, pa vendim gjykate. Një nga familjarët jep versionin e tij për situatën.
“IKMT kërkon që të shembë ndërtesën tonë, sepse nuk jam vetëm unë, është vëllai, motra dhe prindërit e mi që jetojmë këtu. Jemi 4 familje, jemi 25 njerëz që jetojmë në këtë banesë. Më 1994 ne e kemi blerë këtë shtëpi, me vendim gjykate e kemi regjistruar banesën, ka 30 vjet që jetojmë këtu. Kemi tre vendime gjykatash, që vërtetojnë se këtë pronë e kemi blerë. Kjo pronë na takon neve, ka marrë formën e prerë. Jemi ende në proces me ASHK për regjistrimin e pronës, nuk kemi marrë ende përgjigje përfundimtare, kemi depozituar gjitha dokumentet që ka kërkuar ASHK-ja dhe jemi në proces. Jemi lajmëruar 2 vjet më parë për shembjen e ndërtesës. Ne kemi kërkuar dëmshpërblim, sepse prona nuk është e zaptuar, është pronë që e meritojmë.
Prona është blerë, ne prisnim legalizimin për njërën nga ndërtesat. Kanë bërë shkelje ligji, nuk na japin certifikatë pronësie, në një pronë që ka qenë e hipotekuar. Më datë 16 na sollën vendimin e prishjes, që kishte marrë IKMT. Vendimi kishte afat deri më 20 shkurt, ne u konsultuam me avokatin tonë dhe vendimin e kemi ankimuar në gjykatë. Gjykata nuk është shprehur akoma. Gjykata duhet të thotë se vendimi është i ligjshëm apo i paligjshëm. IKMT nuk po pret të dalë vendimi i gjykatës. IKMT na ka thënë se banesa do të shembet, me hir apo me pahir. Këtu vetëm i forti dhe arroganti e krimineli bën hajër. Duam kohë që gjykata të thotë nëse kemi ose jo të drejtë”, tha një prej anëtarëve të familjes Kolagji.