Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbajtur sërish ditën e djeshme një fjalim nga dritarja e banesës ku mbahet në “arrest shtëpie”. Gjatë fjalës së tij, zoti Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se e ka kthyer Shqipërinë në një diktaturë. Sipas tij, Rama u tmerrua nga aksioni opozitar dhe për këtë arsye vendosi që ta vendos atë në arrest shtëpiak. Berisha nuk la pa përmendur dhe çështjen McGonigal, e cila sipas tij do të sjellë fundin e Ramës. Ai shtoi se Rama i ka ditët e numëruara dhe se shumë shpejtë do të përballet me drejtësinë!
“Viti 2024 nisi në Shqipëri njëlloj si në Ugandën e Musevenit, Bjellorusinë e Lukashenkos, Teheranin e Ajatollahëve. Kreu i organizatës kriminale të qeverisë shqiptare vendosi në arrest liderin e opozitës, duke i dhënë kështu opozitës shqiptare, pluralizmit politik, goditjen më të rëndë.
Duke spostuar Shqipërinë nga hapësirat euro-atlantike në hapësirat despotike diktatoriale. Kjo ishte sigurisht një goditje shokuese për të gjithë demokratët dhe opozitarët shqiptarë. Edi Rama, i tmerruar nga beteja në parlament, i tmerruar nga fuqizimi i opozitës, denoncimi i përditshëm i aferave të tij kriminale, vjedhjes së shekullit, Dubai City-t të Durrësit, PPP-ve të tij. I tmerruar nga denoncimet e vjedhjeve familjare, me familjen e tij të ngushtë. I tmerruar nga qëndrimi juaj, zgjodhi të vendosë në arrest shtëpie Sali Berishën.
Duke besuar se në këtë mënyrë ai do heshtë zërin e tij. Miqtë e mi, vendosja në regjim arresti të një njeriu, për të cilin nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument asnjë firmë që të faktojë se ka shkelje më minimale të ligjit, asnjë dëshmi që të faktojë se ka bërë presionin më të vogël, dëshmon karakterin fund e krye politik, dëshmon një akt frikacak të Edi Ramës
. Edi Rama e kuptoi se me Sali Berishën, pas grabitjes së zgjedhjeve të 14 majit, ai nuk do mund të zhvillonte zgjedhje të tjera në Shqipëri. Edi Rama e kuptoi se njeriu, ndaj të cilit ai me lobim korruptiv me Xhorxh Sorosin, me McGonigalin, mendoi se i dha goditjen nukleare, por së bashku me ju, u ngritur si Feniksi nga hiri, e kuptoi se nuk ka të ardhme, se nuk ka më fitore, se do japë llogari për të gjithë krimet e tij”, nënvizoi Berisha