Policia e Tiranës ka arrestuar 4 të rinjtë që akuzohen për vrasjen e 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, mbrëmjen e së dielës në Tiranë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe 15-vjeçari që goditi për vdekje me thikë të riun.
Për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje edhe vajzën e cila ishte “mollë sherri” për dy grupet e të rinjve. Edhe pse në gjendje të rënduar, ajo ka treguar se më parë ka qenë e lidhur me 20-vjeçarin Frensis Shehu, ndërsa së fundmi ishte lidhur me Aurelion.Ndërkohë të arrestuarit kanë rrëfyer sherrin që agravoi deri në përdorimin e thikave. Ata kanë deklaruar se sherri ka nisur në semafor, kur dy makinat ajo e tyre dhe e 18-vjeçarit janë hasur bashkë. Aty të rinjtë kanë shkëmbyer fjalë dhe ofendime dhe kur kanë ndaluar pak metra më poshtë për t’u sqaruar janë përplasur fizikisht.Një 15-vjeçar ka goditur në kraharor të riun i cili rrugës për në spital humbi jetën. Të rinjtë e arrestuar akuzohen për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim dhe ditën e nesërme do dalin para togave të zeza për t’u njohur me masat e sigurisë.