Kastriot Gurra, kryebashkiaku Librazhdit, ndonëse në ikje, vjedhjet e taksave nuk di t’i ndalë me abuzimet e tenderave duke përfituar nga institucioni i Bashkisë që drejton.
Abuzimi i radhës është bërë me tenderin e naftës që mjetet e bashkisë konsumojnë, ku sërish sikurse në tenderat e mëparshëm fondi limit është fryrë aq sa të ‘ngopë’ me naftë të pangopurit e bashkisë.
Në tenderin me nr. reference 57029-01-26-2023 i njoftuar nga Bashkia Librazhd më 26 janar të këtij muaji, zyra e prokurimeve në bashki ka akorduar fond limit për blerje mallrash (naftë), plot 136 milionë e 850 mijë lekë të vjetra, për të furnizuar mjetet e bashkisë për gjithë vitin 2023 me naftë.
Sikurse kishte ndodhur edhe më herët në tenderat e kaluar, në garë për këtë tender konkurron vetëm një operator, “Mendi Oil”.
Ky fakt bën që tenderi të shënjohet me flamur të kuq, si i dyshimtë korruptiv, pasi nuk konsiderohet i rregullt kur në tender garon vetëm një operator. Por kjo nuk i ka penguar aspak drejtuesit e bashkisë për të vazhduar tenderin edhe pse në shkelje të hapur të barazisë në tender, paracaktuar nga neni 258-25.
Një denoncim i tillë është bërë në 2019 në Facebook-un e Sali Berishës, ku një denoncues tregonte skemën e përfitimin nga kompania Mendi Oil, nëpërmjet ndërhyrjes që kompania bënte në qytete si Librazhdi dhe Kruja për të pasur dorën e lirë pa asnjë konkurrencë në abuzimin me fondet. Dhe pa diskutim që me kalimin e viteve denoncimi vërtetohet lehtësisht pasi qysh prej vitit 2017, kompania “Mendi Oil” është kompania e vetme që fiton tenderin e naftës në Bashkinë Librazhd.
Por nga viti në vit abuzimi sa vjen dhe bëhet më i madh. Kjo pasi nëse nga 2017 deri në 2021, bashkia mjaftohet me 30-40 milionë lekë buxhet për naftën në vit, në 2022 Gurra fryn fondin në 100 milionë lekë, teksa në 2023 e çon plot 140 milionë lekë të vjetra.
Një çmenduri në vjedhje, që mund të justifikohet nga zyrtarwt e bashkisë, me faktin se çmimi i naftës është ngritur nga viti në vit, por sërisht nuk bën sens pasi çmimi i naftës është rritur me 25%-35% ndërsa bashkia ka rritur me 150% fondin nga 40 milionë në 2021 në 140 milionë në 2023.
Nëse hulumton disi më thellë në investigim, zbulohet se Bashkia e Librazhdit ka në total 10 mjete në përdorim, 1 mercedes Benz veturë me targë AA200AN, që përdoret nga bashkiaku Gurra, 3 fuoristrada përkatësisht me targë Toyota Land Cruiser AB 818HY, që përdoret po nga kryetari, tjetër fuoristradë Hyndai Terracan që përdoret nga Policia Bashkiake me targë AA224MD, dhe fuoristrada tjetër që përdoret nga ndërrmarja e shërbimeve me targë AA531IJ.
Ndërsa 7 mjetet e tjera të rënda si fadroma dhe kamionë të ndryshwm përdoren po nga ndërrmarja e shërbimeve Librazhd.
Me një llogari të thjeshtë i bie që Bashkia me 136 milionë lekë të mund të blejë plot 68 mijë litra naftë, nëse llogarisim cmimin e naftës me 200 lekë +-, aq sa është sot në treg. Me 68 mijë litra naftë 10 mjetet e bashkisë duhet të përshkruanin përafërsisht 68 mijë km në vit, që të harxhonin të gjithë naftën e llogaritur nga fondi i bashkisë.
Diçka e pamundur pasi në 1 javë vrojtim që iu bë nga gazetarët tanë ndërmarrjes së bashkisë Librazhd ku mjetet rrinë të parkuara, përveç 3 mjeteve të vogla që përdoren nga vetë kryetari dhe policia bashkiake, mjetet e rënda ndizen shumë rrallë për mos thënë fare.
Me shumë gjasa, pasi ka mësuar se partia nuk e kandidon më në zgjedhjet vendore të 14 Majit, Kastriot Gurra e ka kthyer në ‘kap ca të kapësh’ punën e tij në krye të bashkisë deri në ditët e fundit që i kanë ngelur.
Në bazë të partisë askush nuk e mbështet më teksa qytetarët librazhdas i kanë bërë dalje me kohë pasi e konsiderojnë si kryetarin më arrogant dhe të korruptuar që bashkia e tyre ka pasur ndonjëherë në drejtim. Por pikërisht se di që do ikë, Gurra po i jep dorën e fundit vjedhjeve në limite duke shpërfillur çdo ligj dhe rregull vetëm për të mbushur xhepat e tij.