Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri këtë të martë një analizë të punës vjetore të dikasterit që ajo drejton.
Gjatë konferencës për media, Balluku nënvizoi sfidat me të cilat është ndeshur vendi gjatë vitit 2022. Ajo tha se energjia është një nga sektorët ku lufta ka pasur ndikimin më të madh.
Në fjalën e saj Balluku u ndal te nisma për subvencionimin me 70% të kostos për familjet shqipatre të cilat zgjedhin të vendosin panele.
“Sot fondi është vendosur në dispozicion dhe kemi operative 1040 njësi. Është vërtetuar se 20% e konsumit të faturës është ngrohja e ujit, ndaj dhe në vitin 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të arrijë në 20 mijë në total, me një fond prej 8 milionë euro subvencionim nga qeveria”, tha Balluku.
Edhe pse për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike janë frenuar investimet në OSHEE, Balluku theksoi se është bërë një punë e mirë dhe është ulur me 1% niveli i humbjeve teknike.
“Gjatë vitit 2023 ne shpresojmë që do të kemi mundësi për të ecur më mirë për sa i përket fushës energjetike, sepse kemi një fakt sot: Këtë vit e kemi nisur me një rezervë më të mirë energjetike, 1200 gigavat, ndryshe nga një vit më parë kur kemi hyrë me 800 gigavat. Skenarët parashikues financiarë janë shumë më optimistë se ato që kishim në vitin 2022”, tha Balluku.