Ish zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonial i cili u arrestua dje në Nju Jork për ndihmë ndaj oligarkëve rusë, akuzohet se mori edhe 225 mijë euro ryshfet nga një ish zyrtar i inteligjencës shqiptare në vitin 2017 para se të dilte në pension. Në një aktakuzë të veçantë me nëntë pika, McGonigal akuzohet se shifrën e konsiderueshme e ka marrë në dorë në këmbim të promovimit të interesave të biznesit të ish-agjentit shqiptar, i cili ka marrë shtetësinë amerikane dhe jeton në Nju Xhersi.
Sipas aktakuzës, McGonigal mori tre pagesa të veçanta me para në dorë nga biznesmeni shqiptar në vitin 2017, pasi të dy udhëtuan në Shqipëri, ku McGonigal u takua me kryeministrin, Edi Rama dhe i kërkoi këtij të fundit të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licensave të shpimit të fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë ruse të frontit.
Ish oficeri i inteligjencës shqiptare kishte interes financiar për vendimin. Më vonë shërbeu si një burim konfidencial i FBI-së në një hetim penal të një shtetasi amerikan që lobonte për një parti shqiptare, hetim që u mbikëqyr nga McGonigal.
Pas kësaj aktakuze, opozita shqiptare nuk ngurroi të hidhte akuza ndaj McGonial se është i lidhur me Ramën. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka bërë thirrje që të hetohen të gjitha takimet që McGonigal ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në vitin 2017.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se kryeministri Edi Rama i përdor agjentët amerikanë për aferat e tij. Ndërsa ish kryeministri, Sali Berisha tha se duhet të ngrihej një komision i posaçëm që të hetojë gjithë këtë çështje duke qenë se SPAK nuk kishte marrë asnjë veprim për ta hetuar. Ndërkohë deputeti i PD, Gazment Bardhi ka dorëzuar në SPAK kërkesën për hetimin e kryeministrit Edi Rama duke thënë se ky i fundit kishte paguar ish zyrtarin e lartë të FBI-së për të sajuar çështjen e rublave ruse.
Ditën e djeshme, Charles McGonigal, 54 vjeç, u arrestua pas akuzës në një padi me pesë pika se punonte për manjatin rus të aluminit Oleg Deripaska, i cili ka qenë nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2018. Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus i kthyer në shtetas amerikan, i cili punonte si përkthyes për gjykatat federale dhe prokurorët, gjithashtu u akuzua për skemën korruptive.