Personi që shikoni në foton e mësipërme, është punonjës i Drejtorisë së Policisë së Migaracionit Tiranë, i cili me armën e shërbimit ka plagosur një qytetar në zonën e “Komunës së Parisit”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00 në rrugën “Tish Daija”, raporton newsbomb.al.
Erjon Goxhara dyshohet se pas një konflikti të çastit me qytetarin Lorenc Kosta, e ka plagosur këtë të fundit me armën e shërbimit. 45 vjeçari ka marrë një plumb në zonën e kofshës dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Qytetari, dyshohet se në dalje të një supermarketi në zonë, ka ngacmuar partneren e punonjësit të Policisë duke e shtyrë këtë të fundit që të nxjerrë armën e zjarrit dhe ta plagosë në këmbë.
Kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga zëvendësdrejtori Alket Shatro. Ai ka deklaruar për mediat se ka biseduar vetë me policin që qëlloi me armë qytetarin dhe tregoi se Erjon Goxharja ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
“Punonjësi i Policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar unë drejtpërdrejt me efektivin, është në gjendje shumë të rënduar. Kemi shumë forca në terren, që të shmangim ndonjë ngjarje tjetër më të rëndë”, u shpreh Tonin Vocaj.
Ai përsëriti edhe përmes medias thirrjen për punonjësin e Policisë që të dorëzohet dhe të shmangë vetëvrasjen, sepse qytetari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, raporton newsbomb.al.
Deklarata për media e drejtorit të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj nga vendngjarja:
“Rreth 14.00 në rrugën “Tish Daija” në afërsi të një supermarketi, një punonjës policie i Migracionit në Tiranë, ka plagosur për motive të dobëta një person tjetër, që ndodhet në spital. Jemi duke punuar për të kapur autorin.
Probabiliteti më i madh është që të ketë qëlluar me armën e shërbimit. Motivet janë motive të dobëta. Jemi duke zhvilluar hetime. Autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, që tregon se nuk ka një dashje për ta vrarë.
Punonjësi i Policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar unë drejtpërdrejt me efektivin, është në gjendje shumë të rënduar. Kemi shumë forca në terren, që të shmangim ndonjë ngjarje tjetër më të rëndë.
Ne po bëjmë gjithçka për ta arrestuar autorin. Kurse nga komunikimi me mjekët, i plagosuri nuk është në rrezik eksrem për jetën.”