Shefja e departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë ISHP-së, zonja Silva Bino ka konfirmuar ditën e sotme në vendin tonë ka mbërritur sëmundja infektive ‘Ethet e Nilit’. Aktualisht vendi ynë ka 3 viktima dhe 17 të infektuar nga virusi që shkaktohet prej pickimit të mushkonjave. Kjo sëmundje nuk ka patur asnjë rast në vendin tonë për 13 vite më radhë por fatkeqësisht është shfaqur këto ditë të nxehta vere.
Sëmundja shkaktohet nga virusi i cili shpërndahet nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat qarkullojnë me shumicë në vendin tonë.
Mjafton që ato të bien në kontakt me zogj të infektuar dhe përhapin virusin në njerëz. Ethet e Nilit perëndimor është forma më e shpejtë e sëmundjes, e cila karakterizohet me temperaturë, me plogështi, me dobësi, me dhimbje koke, dhe dhimbje trupi. Mund të paraqiten edhe anoreksi ose të vjella, me puçra në lëkurë, dhe në rastet më të rënda me encefalit, meningit apo paralizë.