Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave.
Aktualisht po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qendror.
Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të Bashkisë Lezhë, sot vijojnë me intensitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë.
Pas ndërhyrjes së forcave operacionale të Bashkisë Lezhë, të mbështetura nga Bashkia Tiranë dhe Forcat e Armatosura, vatra është nën kontroll, por vijon puna nga forcat operacionale vendore dhe efektivë të FA.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj të Hasit, i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i Bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll të Bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intensitet të ulët. Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre.