Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, u shpreh se shumë turistë nga Kosova po braktisin Shqipërinë për të vizituar Greqinë apo Bullgarinë. Sipas tij, faktor kryesor është liberalizimi i vizave për shqiptarët e Kosovës.
Megjithatë Kurtishaj shprehet se shumë pushues nga Kosova nuk e shikojnë të arsyeshme një rritje prej 40% të çmimeve, që ka ndodhur në pjesën më të madhe të vijës bregdetare në Shqipëri. Kurtishaj tha që është e papranueshme, që një pije që në Durrës kushton 200 lekë, në jug të kushtojë 700 lekë.
“Viti 2024 ka lënë të kuptohet që nuk ka turizëm të qëndrueshëm për disa zona të Shqipërisë pa shqiptarët e Kosovës dhe liberalizimi i vizave ka bërë një ndryshim nga viti 2023.
Për dy dekada ne kemi qenë të izoluar nga bota për mundësinë e lëvizjen e lirë.
Ishte fat i mirë që liberalizimi u bë në janar dhe shumë shqiptarë të Kosovës plotësuan ëndrrën e tyre për të vizituar vendet e rajonit, siç është Greqia, për shkak se shumë prej nesh para 20 vitesh i kanë kaluar në Greqi dhe Bullgari dhe unë mendoj që kjo mungesë e pushuesve të Kosovës nuk është pa arsye.
Sipas statistikave ka një rënie të dukshme të peshuesve dhe rritja e çmimeve është një prej arsyeve kryesore. Sigurisht dhe gjetja e plazheve alternative si Greqia dhe Bullgaria mund të jetë një tjetër arsye pse mungojnë turistët prej Kosovës. Megjithatë unë nuk e kuptoj pse duhet të paguaj një pije që kushton 200 lekë në Durrës dhe 700 lekë në jug”, tha ai në euronews.
Në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit është vënë re një ulje e numrit të shqiptarëve të Kosovës që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushime. Shumë shprehen se turizmit patriotik i ka ardhur fundi.