Një skemë mashtrimi për bursa studimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zbuluar së fundmi nga policia dhe për këtë nën hetim është vendosur, zyrtarja arsimore, Valentina Lamaj dhe drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi.
Në bashkëpunim me njëra-tjetrën,drejtoresha Jaupi dhe mësuesja e anglishtes, Lamaj, kishin krijuar një projekt të ashtuquajtur “Let’s Talk Together About US24″, i cili pretendohej se ishte ngritur nga një zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Dy zyrtaret mashtronin nxënësit dhe studentët duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për të studiuar në universitetet e SHBA-së.
Por Ambasada Amerikane ka qenë e para që ka dalë me një njoftim zyrtar duke mohuar përfshirjen në një projekt. Sipas ambasadës ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës.
Studentët kanë treguar për JOQ ALBANIA se shumë bashkëmoshatarë të tyre kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi.
Njoftimi nga Ambasada:
Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.
Njoftimi i policisë:
Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.