Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pritur në një takim nga nobelisti turk Orhan Pamuk. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti nuk e fsheh gëzimin dhe padurimin për të takuar Pamuk, i cili sipas tij i ka shfaqur një interes të madh, për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin në tërësi.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkruan Kurti në postimin e tij.
Pamuk është një prej shkrimtarëve më të mëdhenj turk, i nderuar me çmimin Nobel për letërsi në vitin 2006, ndërsa është autor i dhjetra veprave.
Orhan Pamuk lindi në Stamboll më 1952 dhe u rrit në një familje të madhe të ngjashme me ato që përshkruan në romanet e tij Xhevdet Beu dhe të Bijtë dhe Libri i Zi, në lagjen e pasur dhe me tendenca perëmdimore Nisantasi.
Ashtu siç shkruan në librin e tij autobiografik, Stambolli, nga fëmijëria deri në moshën 22 vjeçare ai iu përkushtua në përgjithësi pikturës dhe ëndërroi të bëhej artist. Pasi u diplomua nga shkolla laike Kolegji Amerikan Robert në Stamboll, ai studioi Arkitekturë për tre vjet në Universitetin Teknik të Stambollit por pastaj e braktisi kursin dhe hoqi dorë nga ambicia për t’u bërë arkitekt dhe artist.