Pas bojkotit të deputetëve socialist javën e shkuar, KKIE është mbledhur dje dhe një herë për të mbajtur takimin e radhës ku në dëgjesë është ministrja për luftën kundër korrupsionit dhe Administratën Publike, Adea Pirdeni. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, që drejton dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në fjalën e mbajtur analizoi shqetësimet në lidhje me parandalimin e korrupsionit duke u bazuar në Progres Raportin 2023.
“Kritika e opozitës ishte e njëjtë me atë të Progres Raportit 2023; Shqipërisë i mungonte dhe i mungon një strategji se si të dalë nga kurthi korrupsionit. Shqiptarët jetojnë sot në vendin më të korruptuar pasi qeveria nuk ka ende një strategji. Ndërkohë që kërkesa e opozitës për të ngritur në nivel ministerial luftën kundër korrupsionit morri një përgjigje nga qeveria që pranoi të bënte disa hapa pas duke parë realitetin dhe jo duke i besuar propagandës”, deklaroi ajo.
Më tej Tabaku analizoi situatën e korrupsionit në vend dhe mungesën e një vullneti politik nga ana e qeverisë. Ajo ngriti disa pyetje duke u bazuar në raportin e SPAK.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të nisë nga parandalimi. A ka ministria e luftës kundër korrupsionit një plan dhe strategji se si duhet të implementohet parandalimi?”,u shpreh ajo.
Sakaq, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku nga ana tjetër tha se Kuvendi dhe politika po tregojnë se nuk ka vullnet për të luftuar korrupsioni dhe sipas saj këtë e tregojnë progres raportet për Shqipërinë. “Një vit më parë Këshilli Kombëtar i Integrimit diskutoi lidhur me masat e marra për korrupsioni dhe ngritëm me shqetësim faktin se progres raporti 2022-2023 thonin se lufta ndaj korrupsioni kishte mungesën e një strategjie për të trajtuar këtë çështje në nivel; parandalues por edhe hetimit dhe dënimit të të gjitha veprave korruptive.
SPKA ka një strategji lidhur me ndalimin dhe koordinimin e përpjekjeve në drejtim të shitblerjes së votës. Kemi diskutuar edhe për element që lidhen me pastrimin e parave, ky legjislacion krijon hapësira për korrupsion në bashkëpunim edhe me mungesën e vullnetit politik”, nënvizoi Tabaku. Ndërkohë të njëjtin mendim nuk kishte deputeti i PS, Toni Gogu, i cili tha se ngritja e komisionit të posaçëm anti-korrupsion tregon pikërisht vullnetin e kuvendit.