Nga Lutfi Dervishi
Në dosjen Metamorfoza 2 ku shfaqen figura të njohura të botës se krimit dhe politikës flitet për marrje peng, nxjerrje në pritë, vrasje dhe biznes.
Po çfarë mungon në 240 faqet e akuzës?
Mungojnë dialogjet per zgjedhjet dhe komunikimet me politikanët.
Nëse themi se bandat janë përfshirë në zgjedhje me nxitje, bekim dhe mbeshtetje politike nuk kemi thënë asgjë të re.
Po pse janë veçuar rrefimet dhe kontributet politike të 50 të akuzuarve në politikë?
Cila është arsyeja që hetimi është ndarë në lote?
Një vit para zgjedhjeve SPAK mund të jepte një kontribut konkret duke hetuar përfshirjen në fushatë të “biznesmenëve, Investitoreve strategjikë, alias vrasesve me pagesë.
Ky hetim do të jepte shpresë se krimi zgjedhor më 2025 do të ulte pak kokën.
Është më shumë se naivitet të mendosh se në bisedat e tyre nuk është folur për politike, për zgjedhje, për votime dhe per emërime.
Njerëz që diktojnë drejtore policie dhe kryetare bashkie afërmendsh që janë investuar në fushata.
Disa prej të akuzuarve janë të njëjtët personazhet të përfshirë në krimin zgjedhor në Durrës dhe Diber. Prokurorët e SPAK treguan mungesë kurajo duke bërë ping pong me Prokurorinë e Dibres (dosja 188) derisa arriten t’ia ngecin asaj hetimin që u katandis si kokoshi një thelë.
Ashtu si në dosjen e incineratorëve që u nda në tre lote edhe te Metamorfoza janë të njëjtët njerëz që vrasin, bëjnë biznes dhe kontribuojnë për vota në zgjedhje. Krim, biznes, politike – ky është trekendeshi i Bermudes ku nuk janë zhytur vetëm 50 të akuzuarit.
Politika për krimin është si oksigjeni. Sa më shpejt të priten tubat e furnizimit aq më mirë për të gjithë.
Varianti që ata nuk kanë folur në “Sky” për politikë ka pak gjasa të jetë i vërtetë se përndryshe na del që bandat i paskemi patur të depolitizuara. Emrat aty nuk të lënë asnjë pikëpyetje.
Pyetja është pse janë veçuar rrëfimet për “politikën”?