Që nga arrestimi i drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, nisja e protestës së opozitës dhe thirrja e Erjon Veliajt në SPAK, morën hov spekulimet se Veliaj tani e humbi mbështetjen e Partisë Socialiste.
Hamendësimet për një braktisje të kryebashkiakut të Tiranës në ditën e tij më të vështirë, e përforcoi një prononcim i Ramës që i kërkonte prokurorëve të SPAK t’i nxirrnin ujin e zi korrupsionit, kur u pyet për rastin Veliaj.
Por këtë të enjte, Rama shkoi në Bashkinë e Tiranës me ftesë të Erjon Veliajt.
Arsyeja është nderimi i Ali Ahmetit me titullin “Qytetar nderi” të Tiranës.
Marrëdhënia mes të dyve merr një kthesë të papritur, sepse shtrëngimi i duarve, takimi dhe vizita e Ramës në bashki mund të konsiderohet si një rikthim mes çiftit Rama-Veliaj që një vit para zgjedhjeve u intereson të bashkëpunojnë për hir të pushtetit, që është më i madh se ndonjë pakënaqësi e momentit.
“Vetëm Ali Ahmeti më kthente këtu sot,” tha Rama me ironi.