Prej disa ditësh Lëvizja Feministe Studentore së bashku me studentet e studentët aktivistë kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi të denoncuar për ngacmim seksual, si dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës për mosreagim ndaj këtij rasti.
Ata kanë vendosur edhe pankarta me mbishkrime, të cilat mbishkrime thanë se janë citate të profesorit “Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria”, “Të dyja i keni ly buzët njëjtë”.
7 studente të Fakultetit të Mjekësisë kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual. Xhevat Krasniqi është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe në muajin mars 2024 është raportuar se 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së, me akuzën për ngacmim seksual.
Sipas raportimeve, Krasniqi ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë si profesor i angazhuar nga fakultetet e tjera brenda UP-së. Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë. Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.
Çfarë thotë Universiteti
Lidhur me këtë ka reaguar edhe UP, të cilët kanë njoftuar se janë duke e trajtuar rastin, dhe po ashtu ata kanë kërkuar të mos bëhet presion ndaj tyre.
Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.
Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.
Në komunikatën e lëshuar nga UP-ja më 12.04.2024 thuhet se deri tani janë mbajtur tri seanca dhe se rasti po trajtohet me urgjencë.
“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, UP-ja ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga të gjitha format e presionit.
“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet mes tjerash në komunikatën në të cilën asnjëherë nuk është përmendur fjala “ngacmim seksual”.
Sakaq, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka pezulluar dje nga detyra e tij profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente.
Akuzat
Sipas një ankueseje, profesori kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.
“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesën e saj.
Ditën e djeshme studentet protestuan në sallën ku do të mbahej mbledhja e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës.
Një prej tyre u ballafaqua me profesor Krasniqin, duke i thënë se ai e ka ngacmuar atë.
“Më ke thënë a dëshiron me t’bo masazh, pranoje që edhe nga universitetet e tjera je larguar për ngacmim seksual. Pranoje kush je! Kam pasur frikë para një viti, sot nuk kam më frikë, dal para të gjithëve”, tha studentja.
Ndërkohë që i gjendur në këtë situatë profesori dëgjohet të bëjë një telefonatë, përmes të cilës tregon se i është bllokuar dalja nga administrata qendrore e universitetit.
Pedagogu mohon akuza
Ndërsa Krasniqi ka thënë se studentet e kanë bërë denoncimin për shkak të dështimit për të kaluar provimin.
Ai shton se “të gjitha shprehjet në ankesë janë shpifje”., raporton ai.
Profesori thotë se studentja denoncuese e ka kërcënuar me fjalët “hajt se ki me pa ti, as veten tënde s’ki me njoft”.
Seanca është e hapur mirëpo ndalohet incizimi.