18-vjeçari Aurelio Dervishi, i cili u vra me thikë mbrëmjen e djeshme në Shkozë, është përcjellë sot për në banesën e fundit. Ndërkohë miqtë e tij, të prekur nga ngjarja kanë thënë se ai ishte një djalë i qetë dhe që bënte shumë për shoqërinë. “Aurelio ka qenë djalë shumë i mirë. I qëndronte larg sherrit dhe bënte shumë për shoqërinë. Punonte me të atin, bënin punime elektrike”, tha një prej tyre.
Ndërkohë thonë se e kanë takuar për herë të fundit, gjysmë ore para se të ndodhte ngjarja e rëndë. “Aurelion e takuam gjysmë ore para ngjarjes. Ishte pasagjer në një makinë. Ishte i qetë. Nuk e pamë me kë ishte i shoqëruar”, kanë thënë mes lotësh të rinjtë.
18-vjeçari Aurelio Dervishi ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa kishte edhe një motër. Lidhur me ngjarjen, policia ka ndaluar 4 autorët e dyshuar. 3 prej të shoqëruarve janë të mitur të moshës, 15 dhe 16 vjeç, ndërsa i shoqëruari tjetër është identifikuar si Frensis Shehu, 20 vjeç.
Por si ndodhi krimi i rëndë?
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konfliktit për një vajzë, mes viktimës dhe të rinjve. Ka dyshime se vajza ka qenë e lidhur me një prej agresorëve. Kur këta të fundit kanë mësuar se ajo ka qene ne automjetin tip “Audi” bashkë me 18-vjeçarin, i kanë bërë shenjë mjetit për të ndaluar dhe me pas janë konfliktuar fizikisht me të riun.
18-vjeçari mësohet se ka dalë nga mjeti, por thuhet se 4 agresorët nuk kanë mundur që ta dhunojnë për shkak të gjatësisë dhe fizikut të tij të madh. Më pas njëri prej tyre e ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin, plagë që i mori jetën teksa ishte duke u transportuar për në spital.