Siguria kibernetike është bërë kryefjalë e viteve të fundit, pas sulmeve të shumta mbi platformat e institucioneve publike, që kanë paralizuar punën dhe shërbimet e shumë prej tyre. Së fundmi, grupi i hakerave iraniane “Homeland Justice” sulmoi faqen e Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), duke e lënë atë të paaksesueshme për orë.
Këto sulme, si dhe nevoja për forcimin e sigurisë kibernetike, ishin në fokus sot në Komisionin për Çështjet Ligjore. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë kërkoi që fokusi të vihet në disa pika të rëndësishme, si ngritja e kapaciteteve të nevojshme për infrastrukturën kritike dhe krijimi i një kuadri ligjorë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë, Igli Tafa, shprehet se shkalla e fuqisë, shpeshtësia dhe ndikimi i incidenteve të sigurisë kibernetike bëjnë gjithnjë e më të nevojshme forcimin e sigurisë kibernetike për të siguruar funksionimin normal të sistemeve dhe rrjeteve të informacionit. “Siguria Kibernetike dhe ngritja e kapaciteteve për infrastrukturën kritike të informacionit është bërë e rëndësishme, pasi teknologjia përshkon çdo aspekt të jetës.”
Shkalla e fuqisë, shpeshtësia dhe ndikimi i incidenteve të sigurisë kibernetike janë në rritje, duke përbërë rrezik serioz për sigurinë e rrjeteve të informacionit dhe, rrjedhimisht, për funksionimin e shtetit tonë. Kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar një siguri të plotë në rrjetet dhe sistemet e informacionit. Për të përgjigjur sulmeve, është domosdoshmëri ngritja e një kuadri bashkëkohor, të përafruar me atë të BE-së, që të sigurojë mekanizma ligjorë për tu përballur me sfidat aktuale dhe ato të ardhshme.
Duhet shtuar kompetencë ligjore në fushën e sigurisë kibernetike, të krihen kapacitete teknike të reja për monitorimin e infrastrukturave dhe simulime për zbuluar boshllëqe dhe dobësi në sistemet tona. Gjithashtu, duhet të zgjerohen dhe forcohen strukturat dhe mekanizmat për të trajtuar dhe menaxhuar incidentet kibernetike. Struktura të reja për të menaxhuar emergjencat kibernetike në nivel kombëtar duhen gjithashtu të pajisen me instrumentet e duhura për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me sigurinë kibernetike.
Nevoja për miratimin e një ligji të tillë është e domosdoshme për tre arsye. Së pari, për të forcuar nivelin e sigurisë kibernetike në vend; së dyti, për përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me Bashkimin Europian; dhe së treti, si detyrim për përmbushjen e objektivave të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit 2020-2025,- shprehet Tafa.