Të maskuar si civilë e staf mjekësor, forca speciale izraelite hynë në spitalin e Ibn Sinas në qytetin e Xheninit, në Bregun e pushtuar Perëndimor ku ekzekutuan tre burra palestinezë, që sipas zyrtarëve të shtetit hebre ishin miliantë aktivë.
Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë e të shpërndara në mediat sociale, tregojnë rreth një duzinë komandosh të veshur si infermierë apo gra me hixhab, njëri madje duke shtyrë një karrige me rrota e tjetri një karrocë fëmijësh, të cilët mësyjnë në një korridor të spitalit e më pas, nxjerrin armët.
Hamasi e pohoi se tre personat e qëlluar për vdekje ishin luftëtarë të Brigadave Xhenin, një grup ombrellë i fraksioneve të armatosura palestineze në këtë qytet. Forcat izraelite të mbrojtjes i përshkruan ata si terroristë të lidhur me Hamasin dhe Xhihadin Islamik. IDF e identifikoi njërin prej të shënjestruarve në sulmin e saj si anëtarin e Hamasit, Mohammed Jalamneh, duke thënë se ai “kohët e fundit ishte përfshirë në promovimin e aktiviteteve të rëndësishme terroriste dhe po qëndronte i fshehur në spitalin e Ibn Sinas”.
Nga sulmi mbetën të vrarë edhe dy vëllezër, njëri nga sa pohon IDF-ja operativ i të ashtëquajturave batalionet Jenin, i përfshirë në sulme të shumta ndaj ushtarëve izraelite dhe tjetri ndjekës i Xhihadit Islamik. Burme spitalore pohuan se njëri prej dy vëllezërve kishte qenë duke marrë trajtim pasi qe plagosur më herët nga shpërthimi i një rakete. Spitali tha në momentin e sulmit të IDF-së, të tre burrat kanë qenë duke fjetur. Nuk ka raporte për viktima të tjera gjatë bastisjes.