Është luajtur mbrëmë në Arabi derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos i vlefshëm për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës. Ata që triumfuan në fund ishin “Los blancos” dhe kjo vetëm pas 120 minutash lojë.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 3-3. Hermoso kaloi përpara Atleticon që në minutën e gjashtë. Por i shpejtë ishte reagimi i Realit, me mbrojtësat Rudiger dhe Mendy, që përmbysën rezultatin në të 20-ën dhe 29-ën. Megjithatë Atletico nuk u dorëzua dhe barazoi me Griezman në të 37-ën duke e mbyllur pjesën e parë me 4 gola të shënuar.
Në fraksionin e dytë loja ishte më e qetë, derisa në një moment, gjermani Rudiger dërgoi gabimisht topin në rrjetën e tij duke i dhënë sërish avantazhin “Los Colchoneros”. E kur dukej se Atletico do kalonte në finale, sërish Reali me një mbrojtës e dërgon ndeshjen në shtesë. Carvajal shënoi golin e barazimit në të 85-ën.
30 minutat e shtesës skuadrat ishin të lodhura dhe bënë nga 3 zëvëndësime. Pak para fundit, mbrojtësi i Atleticos, Saviç shënoi një autogol duke i dhënë të katërtin Realit, përpara se Brahim Diaz të shënonte të pestin dhe të vuloste triumfin e të besuarve të Ancelottit.
Mbrëmjen e sotme luhet gjysmëfinalja tjetër mes Barcelonës dhe Osasunës.