Kushtet e vështira ekonomike, mënyra e jetesës, rrethanat në të cilat jeta të përplas janë disa nga faktorët nga të cilat Shqipëtarët i çojnë në probleme të shëndetit mendor.
Sipas të dhënave të INSTAT, vetëvrasjet janë 3.5 herë më të larta se sa vrasjet.
Në vitin 2021 u regjistruan 42 vrasje, e megjithatë numri i vetëvrasjeve kapi shifrën 218 raste. Numri më i lartë i vetëvrasjeve u shënua në vitin 2016 me 225 raste. Nëse shifrave u shtojmë edhe 156 persona që humbën jetë si pasojë e sëmundjeve mendore përgjatë vitit 2021, barra e këtyre sëmundjeve bëhet edhe më e rëndë.
Por sipas OBSH vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes ndërmjet individëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve për individët 15-44 vjeç. Në botë afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes.
Megjithëse; “Problemet e shëndetit mendor ka kohë që kanë filluar të jenë në majën e piramidës së problemeve shëndetësore dhe kanë nevojë për adresim në mënyrë krijuese por edhe këmbëngulëse”, u shpreh psikiatri Neli Demi.
Rritje ka pasur qoftë numri i pacientëve të rinj, qoftë numri i rasteve të agravuara. Por rritja më e madhe, e cila vazhdon edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti, është shënuar ndër fëmijët dhe adoleshentët. Ajo që e bën edhe më shqetësuese është numri i rasteve të reja të shfaqura përgjatë një viti.
“Viti 2022 ka qenë vit me shumë për adoleshentët. Rreth 2000 vizita, nga të cilat 1300 raste të reja”, u shpreh drejtoresha e qendrës komunitare të shëndetit mendor, Valentina Asabella.
“Gjatë këtij viti ka një rritje edhe më të madhe të adoleshentëve kemi pasur një rritje të madhe të numrit të fëmijëve dhe adoleshentëve përgjatë kësaj periudhë te vitit 2023, ku kanë dominuar abuzimi me substanca, me pije energjike , me kafe apo cigare”, tha Valentina Asabella.
Nëse në vitin 2017 në këtë qendër kërkuan ndihmë për shëndetin mendor rreth 700 adoleshentë dhe fëmijë, në vitin 2021 kurba e atyre që kërkuan ndihmë u trefishua duke u ngjitur në 2300 fëmijë dhe adoleshentë.
Njëjtë si të rriturit edhe fëmijët apo adoleshentët vuajnë që nga diagnoozat madhore deri tek ato më elementare.
Vitet e fundit mes tyre vihet re një rritje e pacientëve me çrregullimet të ankthit dhe të stresit, depresion, por rreth 20 % e tyre vuajnë nga sindroma më e rëndë e shëndetit mendor që është skizofrenia apo edhe çrregullimet bipolare.
“Periudha e izolimit dhe pandemisë, ka bërë që të rinjtë ti drejtohen hashashit që e konsiderojnë si shpëtim. Në shumë raste kur ne i këshillojmë se janë të dëmshme, kemi hasur në rezistencë, pasi e konsiderojnë një zgjidhje më të mirë se anksiolitikët. Edhe varësia nga anksiolitikët është një sëmundje më vete të cilën ne e trajtojmë, por varësia nga hashashi dhe substancat narkotike është shumë e rëndë dhe me pasoja shumë më të rënda në jetën e personit”, u shpreh në një intervistë Valentina Asabella.
A ka shenja që na bëjnë të kuptojmë se shëndeti mendor i fëmijëve po bëhet i cenueshëm? Tek prindërit, kërkohet kujdes maksimal për të konstatuar problemet që në hapat e parë.
“Tek fëmijët unë do të sugjeroja që të ishin të vëmendshëm, ndryshime të sjelljes, tenton të izolohet, të bëjë veprime të çuditshme, me padëshirë për tu marrë me aktivitete që më parë ishin me interes…problem janë lojërat online, nëse gjatë pandemisë ne i rekomandomin për të shmangur izolimin, tani ato po luajën efektin e kundërt dhe duhet ti shmangin për të evituar izolimin”, u shpreh drejtoresha Valentina Asabella.
OBSH përllogarit se rreth 9 milionë fëmijë dhe të rinj në Evropë jetojnë me ndonjë çrregullim të shëndetit mendor. Në këto kushte alarmi bëhet më i madh për kujdes ndaj kësaj kategorie. Ekspertët paralajmërojnë se epidemia e shëndetit mendor do të jetë shumë më e gjatë dhe shumë më e vështirë se ajo e covid 19.
“Do të jetë më e gjatë se pandemia e Covid sepse pasojat psikologjike mund të mos duken menjëherë në formën e tyre të plotë, por kur shfaqen duan shumë më tepër kohë se sa vetë pandemia”, tha Valentina Asabella.