Pakënaqësitë e zgjedhjeve të 14 majit me sa duket do të zgjasin dhe pak kohë. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rihapur një kuti votimi për Bashkinë e Mallakastrës pas kërkesës së bërë nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).
Konkretisht bëhet fjalë për një kuti me fletë votimi për Këshillat Bashkiak dhe pas rinumërimit janë konstatuar parregullsi.
63 vota për PDIU-në i kishin kaluar Partisë Socialiste. Pas rinumërimit ka rezultuar se PS ka 97 vota, dhe në procesverbal i ishin shënuar 161 vota. Ndërsa për PDIU-në kanë rezultuar 63 vota, ndërsa në procesverbal nuk kishte asnjë votë.
Ndërsa pas rinumërimit, PDIU ka fituar mandatin e dytë në Këshillin Bashkiak të Mallakastrës.
Gjithsesi ato 63 vota nuk penalizuan socialistët por koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Tashmë rezultati i ngushtë ndërmjet koalicionit dhe PDIU bëri që partia e Shpëtim Idrizit të kalonte pragun për këshilltarin e dytë duke ia hequr Sali Berishës.
KAS gjithashtu mori në shqyrtim edhe një ankesë të bërë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” që kundërshton rezultatin për kreun e bashkisë së Belshit. Kandidati i PS-së në këtë bashki, Belsh Arif Tafani fitoi me vetëm 40 vota më shumë se Bedri Qypi i opozitës. Opozita thotë se përcaktues për fitoren kanë qenë votat e burgut të Kosovës. 229 vota në këtë njësi kanë qenë të pavlefshme.
Po ashtu koalicioni opozitar kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të në të gjitha qendrat e votimit si dhe shpalljen të pavlefshme të votave të dhëna në burg të cilat rezultuan të gjitha në favor të kandidatit të mazhorancës. Për këtë çështje KAS vendosi të marrë kohë duke u lënë kohë ankuesve deri ditën e hënë për të depozituar fizikisht provat e relatuara gjatë shqyrtimit.
Ndaj KAS vendosi të kërkojë informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për 22 zgjedhësit burgut të Kosovës, lidhur me masën e dënimit, kohën kur janë dërguar këta zgjedhës në këtë IEVP, si dhe nëse janë në kushtet e ndalimit sipas parashikimeve të ligjit.