Këshilli i Lartë i Prokurorisë në funksion të hartës së re gjyqësore, që në fazën e dytë mbyll 9 prokurori dhe gjykata të vendit, ka njoftuar transferimin e prokurorëve. Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.
Mësohet se prokurorët Abaz Muça dhe Alma Bramo janë transferuar në Dibër, ndërsa në Fier janë dërguar Merita Selimi, Denis Hyka, Arben Dyla dhe Artan Hazbiu.
Ndër të tjera mësohet se Silvana Pani dhe Asllan Bajramaj, transferohen në Gjirokastër, Gëzim Çoba, Mediana Meta dhe Durim Bedini transferohen në Durrës. KLP ka transferuar në Vlorë prokurorin Eljon Mustafaj dhe në Elbasan, Neritan Hoxhaj.
Njoftimi i KLP-së:
Sqarim mbi interesimin e disa mediave në lidhje me vendimin nr.82 datë 24.04.2023 të KLP-së.
Në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 495, datë 21.7.2022 “Për riorganizimin e Rretheve Gjyqësore dhe kompetencave tokësore të Gjykatave”, si dhe vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Nr. 129, 130, 131, 132, 133, 134, 135, 136, 137, 138, 139, 140 dhe 141 datë 28.03.2022, për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, përkatësisht Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës, Shkodër, Tiranë, Berat, Elbasan, Sarandë dhe Vlorë, për fillimin e ristrukturimit të Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe Urdhërit të Prokurorit të Përgjithshëm Nr. 54, datë 18.04.2023 “Për caktimin e strukturës organike të prokurorive pranë Gjykatave të Shkallëve të Para dhe Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm” ku është përcaktuar ndarja dhe numri i prokurorëve në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallëve të Para dhe asaj të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm kanë nisur procesin e ristrukturimit të prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm duke i riorganizuar ato në 13 prokurori, përkatësisht atje ku mbesin Gjykatat e shkallës së parë.
Sa më sipër, në zbatim të nenit 149/a, pika 1 germa a) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton kompetencën e Këshillit për transferimin e prokurorëve, nenit 189 pika 1, germa “c”, të ligjit Nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, që përcakton llojin e Aktit që këshilli nxjerr për këtë qëllim, si dhe nenit 44, pika 1 germa “b” dhe pika 2, “Transferimi pa pëlqim” të ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar Këshilli ka vendosur që:
Prokurorët e emëruar/caktuar (në mënyrë të përhershëm) në Prokuroritë pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore Berat, Dibër, Elbasan Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës, Sarandë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Durrës qëndrojnë në pozicion në strukturën e Prokurorisë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm pranë së cilës kanë emërimin/caktimin e përhershëm.
Prokurorët e emëruar/caktuar (në mënyrë të përhershëm) në Prokuroritë pranë Gjykatave të rrethit gjyqësor Mat, Lushnje, Përmet, Kurbin, Pogradec, Tropojë, Pukë, Krujë dhe Kavaje të cilëve ju suprimohet pozicioni për shkak të riorganizimit/ristrukturimit, transferohen prokurorë në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm që ka në kompetencë tokësore prokurorinë pranë së cilës prokurori ka ushtruar më parë funksionin.
Gjithashtu në të njëjtën vendimmarrje, janë marrë masa për transferimin e prokurorëve pozicioni i të cilëve në strukturat e prokurorive ku ata janë caktuar në mënyrë të përhershme, është suprimuar, pasi Këshilli në bazë të germës “b” pika 1 dhe germës “b” pika 2 të nenit 44 të Ligji për Statusin ka detyrimin të transferojë këto magjistratë brenda 6 muajve nga momenti i ristrukturimi në një prokurori të të njëjtit nivel dhe të njëjtës kompetencë ligjore.
Sqarojmë se në prokuroritë e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm ka një total prej 43 vakancash të përhershme, ku për 12 nga këto vakanca në Tiranë ka nisur procedura e plotësimit nëpërmjet lëvizjes paralele, pasi nga Këshilli janë vlerësuar nevojat e sistemit si dhe moscënimi i funksionalitetit të prokurorive nga të cilat mund të vijnë kandidatët prokurorë për plotësimin e vakancave.
Për plotësimin e pozicioneve të lira të përhershme Këshilli është i detyruar të respektojë radhën sipas germave të mësipërme “a”, “b”, “c” dhe “ç” të pikës 3 të nenit 42 të Ligjit për Statusin. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se aktualisht, Këshilli nuk ka detyrimin ligjor për të transferuar prokurorë sipas pikës a) dhe pjesërisht sipas b), në kushtet kur nuk rezulton të këtë prokurorë që “kanë të drejtë të caktohen në nivel apeli” apo “që duhet të transferohen për shkak të papajtueshmërisë ambientale”, ndërsa, në vlerësimin e këtyre kategorive, sikurse u citua më sipër kishte dy prokurorë pozicioni i së cilëve në strukturat e prokurorive ku ata ishin caktuar në mënyrë të përhershme, ishte suprimuar, për pasojë pozicionet e lira të përhershme në prokuroritë e të njëjtës shkallë dhe të njëjtës lëndë, para se ti ofroheshin lëvizjes paralele nëpërmjet shpalljes u janë ofruar këtyre magjistratëve.
Këshilli, po ashtu, ka vendosur që prokurorët e caktuar/transferuar (me ose pa pëlqim) përkohësisht, në Prokuroritë pranë Gjykatave të shkallës së parë të cilat shkrihen për shkak të riorganizimit/ristrukturimit, do t’ju ndërpritet ky caktim ose transferim i përkohshëm, ndërprerje e cila do të hyjë në fuqi më datë 01.05.2023.