Me pikëpyetje pritet draft ligji për lojërate fatit. Të gjithë sport dashësit që do të duan të luajnë në bastet sportive online do të duhet të regjistrohen me identitetin e tyre në sistemet që do të jenë të disponueshme nga kompanitë e liçencuara për këtë lloj aktiviteti.
Draft ligji i lojërave të fatit i nxjerrë për konsultim parasheh një rol specifik edhe për Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit e cila do të japë mendim standardet që kanë të bëjnë me kushtet teknike të sistemit të basteve sportive online, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtarëve, kërkesat e programeve software dhe hardware, çertifikimin e sistemit, procedurat në lidhje me faturat dhe transaksionet e pagesave, parimet e sigurisë, dhe kushtet e kontrollit apo mbikëqyrjes.
Pas konsultimit me Agjencinë specifikimet do të kalojnë me vendim të veçantë nga qeveria.
Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet. Këto baste që specifikohen se do të jenë vetëm online nuk do të kenë pika fizike por faqe internet, aplikacione dhe infrastrukturën e nevojshme teknologjike që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme.
Në nenin 26 thuhet se organizatori i basteve sportive ka “detyrimin të regjistrojë paraprakisht çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet. Ruajtja e këtyre të dhënave të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Çfarë parashikon drafti?
Drafti parashikon krijimin e një fondi të posaçëm ku të ardhurat që vijnë përdoret me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve.
Drafti nënvizon gjithashtu se për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 000 000 (një qind e njëzet milionë) lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 0.4 për qind të xhiros vjetore. Këta të fundit paguajnë gjithashtu detyrime të tjera si 15 për qind të të ardhurave të tyre bruto si dhe detyrime tatimore mujore me specifikime mbi tryezat dhe lojërat elektronike që disponojnë.
Një tjetër element që bie në sy është ajo e pagesave që nuk do të jenë me para në dorë në mënyrë të drejtpërdrejtë mes organizatorit dhe lojtarit por do të kalojnë përmes një agjenti financiar të autorizuar.