Shteti i Shqipërisë kohët e fundit është pushtuar nga turistët e huaj, në fushën e turizmit e sidomos në zonat bregdetare. Bukuritë e plazheve të Jugut të vendit por edhe ato të Adriatikut kanë tërhequr vëmëndjen e turistëve të huaj si dhe mediave ndërkombëtare. Cilësia e plazheve të virgjëra të Jugut të Shqipërisëmund të njihet së shpejti me flamurin blu nëse zgjidhet problematika e trajtimit të ujërave të zeza në rajon.
Çfarë është statusi i Flamurit Blu?
Statusi i Flamurit Blu është dhënë nga Fondacioni për Edukimin Mjedisor, një organizatë e pavarur jofitimprurëse me qendër në Kopenhagë, Danimarkë, plazheve që respektojnë kriteret strikte të cilësisë së ujit në kontinente të ndryshme.
Por në fakt Shqipëria është i vetmi vend bregdetar në Evropë ku asnjë plazh nuk është shënuar me flamur blu.
Nisma, të cilën Banka Botërore dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim po shqyrtojnë, do të ndihmonte Shqipërinë të tërheqë më shumë turistë – një objektiv strategjik qendror për zhvillimin e vendit prej 3.2 milionë banorësh.
Gjithashtu mund të ndihmojë vendasit të angazhohen në mbajtjen e pastër të komuniteteve dhe mjedisit të tyre natyror, duke dhënë një shembull shumë të nevojshëm për të gjithë shqiptarët.
“Flamuri blu është një projekt i drejtuar nga komuniteti,” shpjegon Lauren Bohatka, menaxhere e programit të eko-turizmit të UNDP-së. “Ju e përfshini komunitetin për të punuar së bashku për të mbrojtur mjedisin, dhe nga kjo ju mund të kryesoni aktivitete të tjera.”
Zyrtari i UNDP-së parashikon mundësinë që komunitetet në qytetet e vogla përgjatë bregdetit të krijojnë organe që do të marrin përgjegjësinë për ruajtjen e pastërtisë së plazheve.
Organizata planifikon gjithashtu të gjejë një organ kombëtar certifikimi për vendin.
” Duhet përkrahje , që do të thotë duhet të jetë dikush që e përkrah projektin, e shtyn përpara dhe merr përgjegjësi, dhe të tjerët do ta ndjekin,” tha Bohatka.
Komunitetet do të angazhoheshin me fushata ndërgjegjësimi dhe informimi në një përpjekje për të mobilizuar vendasit, të cilët më pas do të pritej të mblidheshin rreth organizatave qytetare përgjegjëse për mirëmbajtjen e mjedisit.
“Do të ketë një efekt ndërgjegjësimi, njerëzit do të shohin se si duken këto zona dhe ata do të duan të lidhen me këtë, të imitojnë ato standarde dhe të shohin se sa i ndryshëm mund të jetë një vend duke i zbatuar këto standarde,” tha koordinatorja e projektit të UNDP-së, Dasara Dizdari.
Lë për të dëshiruar pjesëmarrja e publikut në aktivitetet e pastrimit e cila u zbeh pas rënies së komunizmit në 1991. Nisma të tilla si pastrimi javor i lagjeve ende perceptohen si të imponuara nga regjimi i mëparshëm.
“ Tani secili vetëm kujdeset për apartamentin apo zonën e tij të vogël pa e parë pamjen më të gjerë”, ndërsa thekson se kjo çështje është pjesë e një problemi më të gjerë të menaxhimit të mbetjeve në vend. “Secili po ndërton shtëpinë e tij dhe po rregullon çdo gjë individualisht pa menduar për një sistem të tërë. Disa shtëpi buzë bregdetit kanë ujërat e tyre të zeza që shkojnë direkt në det.”
Ekspertët e turizmit shpresojnë se nisma e Flamurit Blu do të ndikojë pozitivisht në situatë. “
Shqiptarët janë tashmë të vetëdijshëm se turizmi mban çelësin e zhvillimit në rajonet bregdetare dhe dalëngadalë po kuptojnë gjithashtu se një mjedis i pastër është një aset kyç për sjelljen e vizitorëve në Shqipëri.
“Sistemi i flamurit blu në vetvete është një atraksion turistik,” thotë Bohatka. “Turistët që dallojnë një plazh të bukur nga rruga nuk do të duhet të përballen më me zhgënjimin e gjetjes së një vendi të lënë pas dore.”
Cilësia e ujit të detit bregdetar kërcënohet nga mungesa e infrastrukturës së duhur të trajtimit të ujërave të zeza, pavarësisht qëllimeve të mira.
Sipas rregulloreve të BE-së, të cilave Shqipëria shpreson përfundimisht t’u përmbahet, aglomeratet me më shumë se 2000 njerëz kërkojnë një sistem kanalizimi të centralizuar dhe trajtim të përshtatshëm të ujërave të zeza.
Në një aglomerat të tillë, në gjirin e Himarës, shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara tashmë po dëmtojnë cilësinë e ujit të detit, pasi një sistem i ri i kanalizimeve pret miratimin.
Shumë prej tyre kanë kërkuar gjithashtu krijimin e rregulloreve për sistemet e kanalizimeve dhe ujërave të zeza për komunitetet me më pak se 2,000 njerëz dhe për hotelet ose vendndodhjet e tjera që presin turistë.
Për më tepër, ekziston një nevojë urgjente për sisteme të depozitimit të mbetjeve të ngurta, të cilat aktualisht janë të organizuara keq, me mbeturina në bregdet dhe hedhjen e parregulluar të plehrave që dëmtojnë jo vetëm natyrën, por edhe cilësinë e peizazhit, një tjetër aset thelbësor për promovimin e turizmit në Rajon.