Ne foto: Petro Gjikuria dhe Fredi Beleri
Fredi Beleri u betua këtë fillim jave si eurodeputet në Parlamentin Europian. Sot ( e dielë) ishte dita e fundit e lejes nga Drejtoria e Burgjeve. Ai kthehet sot në burgun e Fierit.
Fredi Beleri ndodhet në burg i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.
“Nuk më vjen keq që do të shkoj në qeli”, u shpreh Beleri për mediat.
I shoqëruar nga kandidati i PBDNJ-së për Himarën, Petro Gjikuria, Beleri tha: “U ktheva se këtu në Shqipëri është shtëpia ime, këtu dua të jetoj dhe jam i bindur për drejtësinë time. Në mos në gjykatat shqiptare, në gjykatat europiane”
Sa i përket zgjedhjeve të Himarës, Beleri u shpreh besimplotë se Gjikuria do ta fitojë garën kundër Vangjel Tavos.
“Jam shumë i gëzuar që më shoqëroi sot në burg kandidati për bashkinë e Himarës, zoti Petro Gjikuria, një dalë i mirëfilltë nga Himara, që s’ka lidhje me mercenarët që sjell pushteti për të komanduar Himarën. Himara në duart e Petro Gjikurisë do të jetë e sigurt, Himara do të ketë vend në Bruksel, do të ketë vend në Amerikë, do të jetë pjesë e një Shqipërie europiane dhe që këtej e tutje na presin vetëm ditë të mira”, tha ai.
Liria e tij e përkohshme 5 ditore, pas lejes së dhënë nga Drejtoria e Burgjeve, përfundon në orën 16:00 dhe Beleri do të vazhdojë të qëndrojë në burg edhe për 2 muaj e gjysmë, për të përfunduar dënimin me 2 vite burg për blerje votash.
Në këto 5 ditë liri, ish kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës zhvilloi një sërë takimesh me kryeministrin grek Mitsotakis, figura të tjera të politikës greke ndërsa për mediat e vendit fqinj e quajti arrestimin e tij politik dhe paralajmëroi se do ta dërgojë në Strasburg.