Gerta Vangjeli, zëdhënësja e Anti-Korrupsionit në PD e Rithemelimit, ka kërkuar nga SPAK që të hetojë bizneset e bashkëshortit të ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj. Vangjeli ka publikuar të dhënat e QKR ku bashkëshorti i Delina Ibrahimajt rezulton të jetë drejtues i një hoteli në Qeparo, biznes i regjistruar ne emër të babait të tij.
Po ashtu ai figuron pronar i tre bizneseve të tjera për të cilat, zëdhënësja e anti-korrupsionit kërkon hetim.
“Edi Rama mesa duket është i vendosur që përpara se të largohet nga detyra e KM të sigurohet që të gjithë familjarët e ministrave të tij të pajisen me pasuri e biznese, bare e restorante por mbi të gjitha hotele në territore të lakmuara në bregdet.Ministrat e Ramës nuk bëjnë kujdes as t’i fshehin aktivitetet private të familjarëve të tyre për të shmangur konfliktin e interesit.
I vetmi kujdes që tregojnë është për të fshehur plagosjet që bëjnë, siç është rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, që u ‘arkivua’ nga policia pas presionit politik. Ibrahimaj duhet të ishte dorëhequr tashmë nga detyra publike për shkak fshehjes së veprës penale të kryer nga bashkëshorti i saj.
Bashkëshorti ka disa aktivitete tregtare.
Referuar vetëdeklarimeve pranë ILDKPI, bashkëshorti i saj Andri Përparim Ibrahimaj rezulton:
Drejtues në hotelin super luksoz me pronar babain e tij, ‘Atlantid Hospitality’ në Qeparo, në bregun e detit.
Pronar i subjektit tregtar ‘Baçja’ shpk me objekt ushtrim aktiviteti bar- restorant etj.
Pronar i subjektit tregtar ‘Red Field Farm’ shpk, me objekt Mbjellje, kultivim dhe tregtim fruta – perime te llojeve te ndryshme etj, me adresë në Kurbin.
Pronar i subjektit tjetër tregtar ‘Te Baçja’ shpk me nr tjetër identifikimi por me objekt e adresë të njëjtë të ushtrimit të aktivitetit me sa më lart.
Meqenëse ligjin për konfliktin e interesit vlerëson se kur aksionet e pronësisë të regjistruara në emër të personit të lidhur me zyrtarin, në këtë rast në emër të vjehrrit dhe bashkëshortit të ministres, vlerësohen njësoj sikur të ishin të regjistruara në emrin e vetë zyrtares Ibrahimaj,” deklaron Vangjeli.