Shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahini zbërtheu sot procesin e hetimeve të bëra lidhur me krimin makabër në Shënavlash të Durrësit, ku fëmijët vranë dhe gropsën babanë e tyre, Pëllumb Metën 49 vjeç.
Në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel, shefi i Krimeve të Rënda në Durrës tha se kur të afërmit denoncuan zhdukjen e Pëllumbit, policia kishte dyshime se viktima nuk kishte konflikte, e për këtë arsye grupi hetues nguli këmbë se rasti kishte të bënte me diçka brenda familjes
Sipas shefit të Krimeve të Rënda, familjarët i kishin ndarë rolet më parë. Ajo që ka habitur shefin e krimeve është se tre fëmijët e përshirë në vrasjen e babait të tyre ishin të gjithë të qetë gjatë intervistimeve nga policia. Ai tha se nuk ka parë më parë persona që të jenë ka të qetë dhe të çiltër pas një krimi të tillë. Sakaq Elton Shahini tha se çështja është në hetim, por deri diku tabloja është e zbardhur.
Elton Shahini: Pasi fëmijët bënë kallëzim për humbjen e babait kanë deklaruar se nuk ishte hera e parë që largohej, nga dy deri në 1-0 ditë, ata thonin se ishte konsumues dhe kishte probleme. Më pas është gjetur makina e Pëllumbit, rreth 2-3 kilometra larg nga banesa e viktimës. Pasi u gjet mjeti u kërkua në këtë sektor, pasi menduam që trupi mund të ishte pranë makinës. Më pas janë marrë sërish familjarët, teksa jepnin versionin e tyre. Ne kishim dyshime se personi nuk kishte konflikte dhe ngulëm këmbë se ishte diçka e brendshme. I vumë përpara faktit që është diçka e brendshme. Hyseni gjatë intervistimit na tregoi se çfarë kishte ndodhur duke e shpallur fajtore Hygertën.
Fillimisht Hygerta kishte një fabul shumë të bukur që e kishin bërë ndërmjet tyre, na çoi tek kasollja, ku tregonte se i kishte bërë të gjitha vetë. Të gjitha këto na lanë të dyshonim se s’mund ta bënte ajo. Familjarët i kishin ndarë rolet më parë. Esenciale ishte se këqyrëm banesën dhe tek divani gjetëm një predhë të armës së zjarrit. Fillimisht është gjetur vetëm predha, më pas janë marë mostrat e gjakut. Impresioni im është që jam habitur, dhe janë marë dy herë intervistimet e tyre. Ata ishin të qetë, të gjithë. Menduam që këtu nuk kemi asgjë. Pas kësaj që u gjet motivi dhe viktima këta kanë pasur çiltërsi dhe qetësi, as pendim.
Nuk kisha parë asnjë rast të tillë. Nuk e mora të mirëqenë që ishte fejesa me shkuesi për vajzën. Nga deklarimet e tyre ata kanë pasur stres të vazhdueshëm gjatë kësaj kohe, dhunë fizike dhe psikologjike. Kemi të dhëna se ky person punonte tek tregu dhe ishte person i qetë, por në familje ushtronte dhunë. Nga familjarët është deklaruar, nuk është konfirmuar ende, pasi s’ka pasur asnjë denoncim. Kur kishim vajzën dhe mamanë në zyrë, i thamë që pse s’jeni ankuar në polici. Nuk përgjigjeshin, kishin trysni të vazhdueshme nga viktima. Çështja është në hetim, por deri diku tabloja është e zbardhur, motivet deri diku ato që kemi janë të qarta.
Kjo është një krim makabër që do të shqyrtohet gjatë, unë gjatë intervistimet që bëmë me vajzën, e pyesja, ishte studente e gjuhëve të huaja, që kur të mbarosh shkollën çfarë do të bësh. Se doja ta nxirrja që se kishte bërë ajo. I thash si mund ta bëje këtë gjë kur ke këto ëndrra, dhe më tha që kur është dhuna prishen ëndrrat.
Hysen Meta akuzohet për vrasje në rrethana familjare, Hygerta Meta për fshehje dhe asgjësim të kufomës, ndërsa Amarildo për asgjësim të kufomës në bashkëpunim. Në seancën e sotme tre fëmijët e viktimës u braktisën nga të gjithë të afërmit, ku asnjë prej familjarëve të tyre nuk ndodhej në sallën e gjyqit.
Para togave të zeza, Hysen Meta ka hedhur poshtë deklaratën e bërë më herët ku pranoi se autori i vrasjes së të atit ishte ai. 25-vjeçari ndryshoi dëshminë e tij duke hedhur akuza në drejtim të motrës se ajo e ka kryer aktin makabër, duke vrarë me 4 plumba babain dhe jo ai. 25-vjeçari theksoi se e motra e vrau pasi i ati donte ta fejonte me zor.
“Se kam bere unë vrasjen. Të flasë kush e ka bërë! Kam qenë prezent! Motra ka qëlluar babain! Hygerta. E qëlloi se donte ta fejonte me zor! Kishin debatuar shumë herë! S’kam qenë i pranishëm gjithmonë. Babi mua s’më pyeste për ketë pjesë! Marrëdhëniet i kam pas jo shume të mira! Kam thënë ndryshe para oficerit sepse isha i hutuar dhe na ka ardhur keq. Për atë që ka ndodhur”, tha ai.
Ndërsa, Hygerta Meta, deklaroi se vëllai i vogël dhe nëna nuk kanë qenë në banesë në momentin e vrasjes dhe se lajmin për vdekjen e kryefamiljarit e kanë marrë vesh më vonë. Ndër të tjera, ajo pohoi se më pas së bashku me nënën, Blerina Metën dhe vëllain e vogël, Amarildo Metën, janë marrë me fshehjen e gjurmëve.
“Vëllai dhe nëna kanë mësuar vrasjen më vonë kur kanë ardhur në banesë. Jemi marrë me fshehjen e armëve dhe gjurmëve”, ka Hygerta Meta në Gjykatë.
“Në fillim ishte shume vështirë. Nga frika mendova t’ia lija vëllait. Por ai s’ka qenë prezent kohët e fundit. Kishte 15 ditë para ngjarjes që ishte kthyer. Debati kishte nisur në dhjetor. Unë nuk isha e interesuar për fejesën. Dhe ai në fillim s’me tha gjë. Ndodhi një problem tek bombola e gazit. Se unë aty gatuaja. Gjithmonë. Dhe nga refuzimi që i bëra unë për fejesë ai tentonte të më vriste, mua ose mamanë. Tek bombola e gazit, preu bombolën e gazit dhe refuzonte ta rregullonte. Pas kësaj me ka thëne në fund të janarit që të fejohesha prapë. Dhe atëherë me tha ju s’keni për të bërë hajër në këtë shtëpi. Me kërcënonte mua dhe mamin. Mamin e kërcënoi për një portokall se e këputi dhe i tha do te vras”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë, djali i vogël Amarildo Meta ka deklaruar se kur është kthyer nga puna nëna i ka thënë se babai është vrarë.
“Gjeta mamanë e shqetësuar në shtëpi dhe pastaj me tha që ishte vrarë babai. Sapo kisha ardhur nga puna. Dhe aty nisëm të kryejmë veprimet për ta fshehur. I kërkova makinën shokëve që të largonim automjetin tjetër”, ka deklaruar Amarildo Meta.