Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar sot një deklaratë ku thekson se nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv në një proces që tashmë ka shërbyer si shembull i praktikës së mirë për rajonin dhe më gjerë.
Drejtori i ODIHR Matteo Mecacci, ka theksuar nevojën për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse mes palëve, ndërsa kërkoi që fokusi të jenë problematikat e zgjedhjeve të shkuara, si parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës dhe mbrojtja e lirisë së medias.
“Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike deri tani përpara zgjedhjeve.
I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
Është e një rëndësie thelbësore që të vendosen synime praktike dhe realisht të arritshme që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Prioritetet kryesore përfshijnë parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, sigurimin e fshehtësisë së votës, mbrojtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore”, tha drejtori i ODIHR Matteo Mecacci.