50-vjeçari ndihmonte grupin kriminal në kryerjen e vrasjeve dhe trafikun e drogës.
Është ekstraduar nga Spanja drejt vendit tonë Ismail Zeneli alias Luan Sadria, 50 vjeç, i lindur në Kukës, pjesë e grupit kriminal të djalit të ish-zyrtarit Erzen Breçani.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
SPAK ka regjistruar procedim në vitin 2023 dhe në kuadër të këtij procedimi, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, kanë zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.
Gjithashtu, hetimet janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura ne Shqipëri. Dyshohet se 50-vjeçari është koordinuar me bashkëpunëtoret e tij dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e vëllezërve Edmond dhe Albert Nela, me qëllim vrasjen. Më tej, dyshohet se ai është koordinuar me bashkëpunëtorët e tij, për trafikimin e lëndëve narkotike, nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me Interpol Madridin, u bë i mundur arrestimi i tij në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.