Grupi “Homeland Justice”, që mori përsipër hakerimin e faqeve zyrtare të institucioneve shqiptare në vitin 2022, ka publikuar të tjera të dhëna këtë të Hënë.
Bëhet fjalë për numrat e pasaportave të qytetarëve shqiptare, si dhe informacione të tjera që shfaqen në dokument, bashkë me numrat e telefonit.
Të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë janë zbuluar nga grupi në rrjetin social “Telegram”, në një listë voluminoze prej 1366 faqesh.
Një ditë më parë, “Homeland Justice” publikoi informacionet e kartave të identitetit.
Më herët, grupi ka zbuluar të tjera të dhëna private të qytetarëve shqiptarë, përfshirë edhe drejtues institucionesh. Lista e fluturimeve të kryeministrit Edi Rama ishte një publikim që ngjalli debat në vend, me opozitën që kërkoi komision hetimor, duke akuzuar Ramën për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave publike. Kërkesa megjithatë u refuzua nga mazhoranca socialiste.
Mes publikimeve kanë qenë dhe dokumenta të klasifikuara “sekret”, që erdhën pasi kryeministri Edi Rama do të deklaronte se nga hakerat nuk janë marrë të dhëna sekrete.
Të dhëna të patentave, targave, pagave, lista e punonjësve të SHISH, të dhënat personale të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit, fjalëkalimet e sistemeve të AKSHI-t, email-et e zyrtarëve të shtetit si dhe deputetëve, të dhëna të llogarive bankare, janë publikuar gjithashtu online nga “Homeland Justice”. Përveç institucioneve shtetërore, kompani private si “Air Albania” apo “One” kanë qenë gjithashtu pre e sulmeve kibernetike.
Shqipëria akuzoi Iranin për sulmet kibernetike si dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
Nga ana tjetër, “Homeland Hustice” që mori përsipër sulmet kibernetike, përmes deklaratave të ndryshme, la të kuptohet se sulmet lidhen me strehimin në Shqipëri të muxhahedinëve, kundërshtarë të regjimit iranian.
Sipas një hetimit të SPAK, sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë dyshohet se ka qenë “përgjigje simetrike” e hakerave iranianë ndaj aktivitetit që organizata MEK nga kampi i Manzës po kryente ndaj Iranit.
Një kallëzim u depozitua në SPAK lidhur me sulmet kibernetike nga një grup programuesish, me AKSHI-n që u cilësua përgjegjës për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme nuk ngriti asnjëherë akuzë penale për zyrtarët e institucionit.