Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën kosovare.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.
Por, ndonëse Spanja njohu zyrtarisht pasaportën e Kosovës, kjo nuk do të thotë se ky shtet ka njohur pavarësinë e shtetit më të ri në Ballkan. Ky fakt u bë i ditur nga Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.
“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha ajo.