Pas 48 orësh në arrati efektivi i Policisë, Erjon Goxhara, i cili qëlloi me armën e shërbimit drejtorin e Entit Rregullator të Energjisë, Lorenc Kostën, ka vendosur t’i japë fund arratisë.
Blutë e Tiranës bëjnë me dije se pasditen e kësaj të mërkure efektivi Goxhara është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, së bashku me armën e shërbimit me të cilën qëlloi 45-vjeçarin.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme“, njofton Policia.
Ngjarja u regjistrua dy ditë më parë, të hënën, rreth orës 14:30 në rrugën “Tish Daija”, përballë me market “Xhangolli”. Efektivi i Policisë, Erjon Goxhara, 46-vjeç, për motive të dobëta qëlloi disa herë me pistoletë shtetasin Lorenc Kosta. Si pasojë e të shëntave ai mori disa plagë në trup, kryesisht në zonën e barkut dhe në gjymtyrët e mëposhtme.
Menjëherë pas ngjarjes Kosta, u dërgua për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori Erjon Goxhara u largua nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur ndjekjes policore.
Shkak i kësaj ngjarje u bë xhelozia, pasi bashkëshortja e efektivit kishte marrëdhënie jashtëmartesore me drejtorin e ERE, Lorenc Kostën.
Bashkëshortja e policit, e cila punon si juriste në Entin Rregullator të Energjisë ku është drejtor Kosta, ka pranuar para të shoqit tradhtinë por ka insistuar se ka ndodhur vetëm një herë. Madje, edhe mëngjesin e ngjarjes, ajo është takuar me Erjon Goxharen dhe nipin e tij.
Edhe gjatë këtij takimi ka pasur tone të ngritura dhe debat të fortë, por gruaja e policit nuk ka pranuar të kërkojë falje. Report Tv thotë se ngjarja ka ndodhur në një qendër tregtare në periferi të Tiranës.
Në dosje shkruhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Erjon Goxharas ka goditur veten me grushte. Në deklarimet e dhëna para Oficerëve të Policisë Gjyqësore, djali i çiftit ka konfirmuar konfliktet mes prindërve të tij që nga mesi i korrikut, kohë kur sipas tij, e ëma pranon dyshimet për lidhjen jashtë martesore.
Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar dhe në të njëjtën ditë që është takuar me gruan dhe nipin e tij, ai ka shkuar në zonën e “Komunës së Parisit” ku jetonte, lagje në të cilën jetonte po ashtu edhe Lorenc Kosta.
Prokuroria e Tiranës thotë se efektivi e ka mbajtur në vëzhgim drejtorin e ERE-s dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë.
Djali i policit Erjon Goxhara ka treguar para hetuesve takimin me të atin pas plagosjes te “Komuna e Parisit”. Ai ka thënë se janë larguar me taksi nga Rrethi i Shkozës deri te Fresku, aty ku babai i tij është ndeshur me dy policë civilë që i kishin thirrur në emër Erjonit.
Sipas dëshmisë së djalit, i ati i ka thënë ta ndiqte dhe të largoheshin bashkë, por ai ka ndaluar kur ka parë civilët. Madje, edhe ata i kanë kërkuar që të dorëzohej, por Erjon Goxhara mësohet të jetë shprehur “më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja.
Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja.
Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”, ka thënë djali.
Kjo lëvizje me të birin drejt Dajtit bëri që Policia t’i përqëndronte kërkimet drejt asaj zone, por efektivi Erjon Goxhara ka vendosur që pasditen e kësaj të mërkure t’i japë fund arratisë dhe të shkojë të vetëdorëzohet në Polici.