Një Benz ka lëvizur i pa shqetësuar me shpejtësi tej normave të lejuara në trotuar në një qendër të banuar në Pogradec, më konkretisht në Bulevard.
Kanë qenë kamerat amatore që kanë filmuar këtë moment, e më pas video ka bërë xhiron në rrjetet sociale. Pas publikimit të videos, ka ardhur edhe reagimi i policisë i cili ka njoftuar se shoferi D. S. është gjobitur me 40 000 lekë të rinj.
Makina nuk ka qenë në emër të tij, por të një personi tjetër ka njoftuar policia.
NJOFTIMI:
“Qarkulloi me shpejtësi tej normave të lejuara, në trotuar, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj, drejtuesi i automjetit.
Menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti që leviz me shpejtësi tej normave të lejuara, në trotuar, në zonë të banuar, në Pogradec, konkretisht në rrugën “10 Dëshmorët e Pojskës”, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit që shfaqej në video, shtetasit D. S.
Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 3 dhe 8 të Kodit Rrugor, në bazë të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998, ndaj shtetasit D. S. u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se aktualisht automjeti nuk posedohet nga shtetasi D. S, por nga një shtetas tjetër.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore”, thuhet në njoftim.